Lajme Shqip Saturday, 17 October 2015 09:01

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë artikuluar një ide të re në drejtim të Kryeministrit Isa Mustafa që të pezullojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Zëdhënësi i AAK’së, Muharrem Nitaj, ka thënë në emisionin Debat në RTK., se një ide e tillë do të përkrahej edhe nga ndërkombëtarët.

“Kryeministri i vendit mundet t’i pezullojë marrëveshjet”, ka thënë Nitaj.

“Edhe partnerët ndërkombëtarë, besoj unë, do të ishin të gatshëm të pranonin një propozim të tillë”, ka propozuar anëtari i Kryesisë së AAK’së.

Sipas tij, Kryeministri mund të arsyetohet se klima politike në Kosovë e pamundëson zbatimin e marrëveshjeve.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Armend Zemaj i LDK’së.

“Ky është vetëm një propozim”, ka thënë Zemaj, i cili e ka përkrahur idenë e Ilir Dedës që të organizohet një tryezë e liderëve për ta nxjerrë Kosovën nga bllokada.

Deri më tash, Vetëvendosje, AAK dhe NIMSA kanë kërkuar të tërhiqet nënshkrimi nga marrëveshja për Asociacionin si dhe të rishqyrtohet marrëveshja për demarkacionin.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se s’mund të tërhiqet nënshkrimi e as të këtë ndonjë veprim tjetër pa marrë vendim ndryshe Kuvendi i Kosovës, deputetët e të cilit kanë marrë dy herë vendim për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ndërkohë, Mustafa ka premtuar se nëse është bërë ndonjë gabim sa i përket shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, atëherë, ai do të kërkojë rishqyrtimin e marrëveshjes.