Lajme Shqip Saturday, 02 February 2013 16:15

Tirane – Marrëveshja Shqipëri-Greqi-Itali për gazsjellësin TAP do të nënshkruhet në 13 shkurt, në Athinë. 

Lajmi bëhet i ditur pas takimit që ministri i Jashtëm grek Avramopulos zhvilloi sot në Mynih me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Elmar Mammantiarof. 

Greqia, Italia dhe Shqipëria do ta nënshkruajnë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e tubacionit Transadriatic (TAP) më 13 shkurt, në Athinë dhe në ceremoninë e nënshkrimit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë së Azerbajxhanit.

Sipas burimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme greke, të cilave iu referohen mediat greke, mbrëmë zoti Avramopulos ka pasur biseda telefonike me homologun e tij italian, Giulio Terzi dhe atë të Shqipërisë, Edmond Panariti për të përcaktuar detajet, ndërkohë që diskutimet do të vazhdojnë mes tre vendeve për tekstin e Marrëveshjes. 

Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos ndodhet në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë, ku ka patur kontakte dypalëshe me homologë dhe liderë nga e gjithë bota.

Gazsjellësi TAP
Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP-së do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. Aksionerët e TAP janë EGL zvicerane me 42,5%, Statoil norvegjeze me 42,5% dhe E.ON Rurgas gjermane me%. Në projekt bashkëpunon edhe kompania italiane e energjisë, “Enel”.
TAP do të shfrytëzojë fushat e mëdha të gazit të Shah Deniz II në Kaspik. Shah Deniz është çelësi i strategjisë së BE për rritjen e sigurisë së vet energjetike, sepse në rreth 6 vjet pritet të sigurojë gaz nga Kaspiku në Evropë, duke bërë realitet shpresat për një korridor gazi në një prej rajoneve më të pasura të burimeve në botë.(LajmeShqip.com)