Mitrovicë (PLOTËSUAR 16:25) – Burime të portalit nga veriu, sapo kanë konfirmuar dështimin e takimit të sapopërfunduar midis KFOR-it dhe përfaqësuesve të strukturave paralele serbe në veri.
Komandanti i KFOR-it ka dalë shumë i zhgënjyer dhe i revoltuar nga takimi shumë i tensionuar i ditës së sotme, kanë bërë të ditur burime të portalit.
Takimi ka dështuar pasi që KFOR s’i ka pranuar kërkesat e serbëve, për të cilat pati raportuar më herët edhe portali LajmeShqip.com.
Një ndër kërkesat e serbëve isht edhe ajo që sa herë KFOR të synojë të kalojë nëpër veri, t’i paralajmërojë strukturat serbe atje.
Pasi që takimi ka dështuar, pa ndonjë rezultat, barrikadat vazhdojnë të mbeten në fuqi, kurse KFOR pritet të veprojë sipas kopetencave të tij për pastrimin e veriut nga barrikadat, pa bisedime.
Ultimatumi përfundimtar i KFOR-it, për barrikadat, siç ka raportuar portali më herët, është e diela vijuese. (LajmeShqip.com)
****************************
Mitrovicë (PLOTËSUAR 16:07) – Burime të portalit nga veriu i Kosovës kanë bërë të ditur qëndrimet me të cilat përfaqësuesit e strukturave paralele serbe kanë shkuar në takimin me përfaqësues të KFOR-it, i cili po mbahet në këto memente.
Sipas këtyre burimeve, serbët e veriut do të kërkojnë nga KFOR që të mos e përkrahë EULEX-in në misionin e tij, veriu i Mitrovicës të kthehet nën administrimin e UNMIK-ut, të mos ketë prezencë të policëve shqiptarë të Kosovës dhe të doganierëve të Kosovës dhe që si kompromis të kthehen vetëm policët dhe doganierët serbë në veri.
Gjithashtu, burimi i portalit ka bërë të ditur se serbët e veriut do të kërkojnë në takim me KFOR-in që situata në veri të Kosovës të kthehet në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe që një pjesë e policisë dhe ushtrisë serbe të kthehet, kurse EULEX-i të mos qarkullojë në veri të Kosovës.
Megjithatë, ka bërë të ditur një burim tjetër i portalit, këto qëndrime të serbëve të veriut janë tërësisht të papranueshme nga KFOR dhe se KFOR do të insistojë vetëm në zhbllokimin e rrugëve dhe lejimin e qarkullimit dhe të lëvizjes së lirë për të gjithë. (LajmeShqip.com)
****************************
Mitrovicë (PLOTËSUAR 14:21) – Burime të portalit nga veriu i Kosovës kanë bërë të ditur se ka përfunduar takimi i kryetarëve të strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, për shqyrtimin e heqjes së barrikadave.
Asnjëri nga përfaqësuesit e tyre nuk është prononcuar për mediat, ndërkohë që në këto momente kanë shkuar në takimin e paralajmëruar, me KFOR-in.
****************************
Mitrovicë – Sot, në Zubin Potok, në orën 11:00 ka nisur një takim i strukturave paralele serbe në veri, për të vendosur rreth heqjes ose jo të barrikadave, kanë bërë të ditur burime të portalit LajmeShqip.com, nga veriu i Kosovës.
Ndërkohë, në orën 14:00, të njëjtit pritet të takohen me KFOR-in, për të diksutuar vendimin e nxjerrë në atë takim.
Po ashtu, bëhet e ditur se mbrëmë, liderët serbë të veriut u kanë komunikuar në një takim, grupeve ekstremiste serbe, se konfrontimi eventual me KFOR-in do të jetë i dëmshëm dhe me pasoja për vetë serbët.
Burimi bën të ditur se serbët kanë ofruar njërën nga mundësitë, që të lejohet vetëm qarkullimi i KFOR-it, por jo edhe i EULEX-it, në veri të Kosovës dhe një pjesë e barrikadave pritet të hiqet nga vetë serbët.
Megjithatë, nuk dihet se cili do të jetë fati i barrikadave të betonuara dhe se kush do t’i largojë ato, ndërkohë që raportohet se nëpër barrikada ka gjithnjë e më pak njerëz që kujdestarojnë.
Burimi thekson se deri të dielën apo të hënën pritet që barrikadat të hiqen. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 October 2011 16:07