Lajme Shqip Thursday, 21 June 2012 14:50

Prishtinë – Kryeministri Thaçi ka pritur sot ndërmjetësin e Bashkimit Evropian në bisedimet teknike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper.

Në takim është diskutuar për implementimin e marrëveshjeve të arritur mes Kosovës dhe Serbisë gjatë procesit të bisedimeve teknike në Bruksel. Kryeministri Thaçi theksoi se këto marrëveshje duhet të implementohen edhe nga ana e Serbisë, pasi ato janë në dobi të qytetarëve të të dy shteteve dhe në dobi të forcimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Ndërmjetësi i BE-së Robert Cooper theksoi se marrëveshjet e nënshkruara nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë duhet të implementohen sa më shpejtë, në mënyrë që të ecet përpara në proces.

Pas takimit në Qeverinë e Kosovës, në drejtim të z.Cooper persona të papërgjegjshëm kanë hedhur domate. Kryeministri  Thaçi dënon këtë veprim të ulët, që dëmton imazhin evropian të Republikës së Kosovës. “Shpalosja e ambicieve politike duhet të bëhet në mënyrë institucionale dhe demokratike në Parlament, e jo përmes dhunës së shfaqur kundër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, tha z.Thaçi. (LajmeShqip.com)