PRISHTINË- Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç mund të takohen gjatë muajit qershor në Londër, ose në Bruksel.
Kështu kanë deklaruar burime ndërkombëtare për gazetën kosovare Express në kushte anonimiteti, të cilat kanë përjashtuar mundësinë që takimi të mbahet në Sarajevë, për faktin se Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Kryeministri Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç mund të takohen gjatë qershorit në Londër, ose në Bruksel. Por takimi nuk ka gjasa të ndodhë në një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë zyrtari për gazetën.
Mundësia e takimit Thaçi –Tadiç është përmendur disa herë, sidomos gjatë procesit të bisedimeve Kosovë –Serbi, të cilat po zhvillohen në Bruksel. Kryeministri Thaçi nga ana e tij më herët ka konfirmuar se nuk ka problem të takojë presidentin e Serbisë Boris Tadiç, pasi sipas tij takime me të ka pasur edhe gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë.
Sunday, 25 March 2012 12:05