Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, tha të enjten, pas takimit në hotel “Sheraton” me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, në kuadër të konsultimeve për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, se sot është momenti për t’i dhënë zgjidhje dy çështjeve të rëndësishme, siç janë zgjedhja e presidentit dhe reforma zgjedhore.
“Ne jemi të shqetësuar pasi koha ikën dhe ndërkohë kemi detyrimin e madh për t`i dhënë zgjedhje dy momenteve jashtëzakonisht të rëndësishme për fatin e Shqipërisë në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë. Na duhet një reformë zgjedhore e dakortësuar dhe e merituar, përpara 24 majit, në unison me gjithë bashkësinë ndërkombëtare që po bën çmos të na ndihmojë, por kërkon që ne të ndihmojmë veten”, tha Rama.
Ai nënvizoi se vendit i duhet një president që të mishërojë unitetin kombëtar. “Na duhet një president që të jetë mishërimi i unitetit kombëtar në këtë periudhë historike, ku Shqipëria ka nevojë të shkojë së bashku përpara dhe të jemi kontribues për gjithçka që i duhet vetë rajonit. Jemi në kushtet kur kryeministri bën shurdhin, pasi do një president për veten, ndërkohë që ne kërkojmë një president për të gjithë shqiptarët”, tha Rama.
Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, pas takimit me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama në selinë rozë, rikonfirmoi votën e tij pro kandidaturës së Fatos Nanos si president. Ndërkohë, Dule tha se partia e tij do të jetë pjesë e procesit konsensual për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Ne jemi shprehur dhe vijojmë ti qëndrojmë opinionit se Nano është një kandidaturë që plotëson kriteret që kërkon një proces konsensual dhe gjithëpërfshirës që kërkon që presidenti të jetë korrekt që do mbrojë Kushtetutën dhe do garantojnë funksionimin e shtetit dhe përfaqësimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Ne besojmë se dhe në frymën e konsensusit Nano do ishte kandidaturë e mirë”,- deklaroi Dule.
Takimi Rama-Dule ishte në vazhdën e takimeve që kreu i opozitës ka nisur me kryetarët e partive parlamentare që i janë përgjigjur ftesës së tij publike për të diskutuar për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Ditë më parë Rama u takua me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta dhe me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 May 2012 17:15