Lajme Shqip Sunday, 20 May 2012 09:00

 

Tiranë -Gjatë punimeve të Konferencës për Demokracinë dhe Fuqinë Ekonomike të organizuar nga Qendra për Dialog Global dhe Bashkëpunim (CGDC) në Vienë, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta u takua me Presidentin e 42 të SHBA-ve, Bill Klinton.

Zyra e shtypit e LSI-së bëri të ditur se gjatë takimit të ngrohtë pas disa vitesh, Meta dhe ish-Presidenti Klinton vlerësuan zhvillimet pozitive në Shqipëri dhe në rajon gjate viteve të fundit, duke vënë në dukje se përpjekjet e përbashkëta gjatë dhe pas luftës së Kosovës krijuan themelet e një stabiliteti afatgjatë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lideri i LSI-së, i shprehu ish-Presidentit Klinton vlerësimin e tij dhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për  kontributin e cmuar në shërbim të paqes, dialogut dhe rritjes së bashkëpunimit në Ballkan. Në këtë drejtim, Meta e informoi ish-Presidentin Klinton rreth ndryshimeve të mëdha në marrëdhëniet mes vendeve fqinje vecanërisht në spektrin e levizjës së lirë, shkëmbimeve tregtare dhe dialogut politik mes qeverive respektive.

Gjatë bashkëbisedimit u shpreh vlerësimi se dialogu dhe bashkëpunimi pa barriera është e vetmja rrugë përpara për të siguruar prosperitetin ekonomik të qytetarëve dhe se Shqipëria në këtë drejtim ka ditur të bëjë zgjedhjen e duhur.

Gjatë takimit u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërise në rajon dhe u nda bindja se përpjekjet e të gjithë aktorëve politikë dhe të shoqërisë civile duhen përqëndruar në shmangien e konflikteve dhe në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit. (LajmeShqip.com)