Prishtine – Është hedhur poshtë moçoni i Grupit Parlamentar të PDK-së për të raportuar sot kryeministri i Kosovës për takimin e tij të fundit në Bruksel me kryeministrin Serb Ivica Daçiq. Kryeministri kishte kërkuar sot të raportonte, meqë javën e ardhshme sipas tij, ai do të ketë udhëtime zyrtare dhe e ka të pamundur të raportojë. Ndryshe, ke kërkesën e grave parlamentare seanca është shtyrë për një ditë tjetër.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në seancën e sotme kërkoi nga deputetët që t’ia mundësojnë raportimin rreth takimit të fundit që kishte në Bruksel. Kryeministri Thaçi tha se procesi po kalon në një moment vendimtar, prandaj qytetarët e Kosovës dhe deputetët duhet të jenë të informuar në detaje.
“Ka lëvizje në përshpejtimin e përmbylljes së këtij procesi dhe javën e ardhshme unë do jem në udhëtime zyrtare jashtë shtetit. Por, ju lus që kjo të kalon në pajtueshmëri me të gjithë e jo të kemi ndarje në baza partiake”, tha ai.
Ndërkohë që me 41 vota për, 41 kundër dhe një abstenim nuk kaloi mocioni i PDK-së për raportimin e Kryeministrit.
Ndërkaq, gjatë kësaj seance deputetët e PDK-së dhe ata të LDK-së, janë përplasur rreth zgjedhjes së anëtarëve nëpër institucione të pavarura. Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Media, Xhevahire Izmaku, kritikoi kryetarin aktual të Komisionit të Pavarur për Media, Shefki Ukaj, i cili, sipas saj e kishte fshehur postin e këshilltarit komunal të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Ndonëse Ukaj është zgjedhur nga ky komision, ajo tha se ai kishte bërë shkelje të ligjit duke e fshehur postin e këshilltarit, prandaj kërkoi dorëheqejen e tij.
”Shefki Ukaj ka fshehur postin që kishte pasur në KK të Prishtinës, pasi që ky fakt do t’i pamundësonte zgjedhjen e tij si kryetar i KPM-së. Një institucion siç është KPM-ja e që është kategori kushtetuese, nuk mund të ketë në krye akoma një kryetar i cili është i kontestuar. prandaj, kërkoi që sot nga Ukaj që të jam dorëheqje të menjëhershme”, tha ajo.
Ndërkaq, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetëve të LDK-së. Hikmete Bajrami nga ky subjekt, ia kujtoj Izmakut zgjedhjen e anëtarëve të PDK-së në krye të institucioneve të pavarura.
Ndryshe me kërkesën e 40 grave parlamentare, seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar të martën në orën 10.(LajmeShqip.com)
Friday, 08 March 2013 14:05