Prishtinë- Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti në takim ambasadorin e Suedisë, Lars Wahlund, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, perspektivën euro-atlantike të Kosovës si dhe për dialogun teknik.
Ajo përmendi në veçanti angazhimet për integrimin e komunitetit serb në pjesën veriore të vendit në harmoni me Kushtetutën e vendit dhe Planin e Ahtisarit si dhe investimet socio-ekonomike që do të jenë në të mirë të qytetarëve dhe krijimit të mirëbesimit, si vlerë e rëndësishme e shtetit të Kosovës.
Poashtu, Tahiri bëri një vlerësim për rrjedhat e dialogut ku në veçanti theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe tregtinë e lirë mund të arrihet vetëm me heqjen e barrikadave dhe strukturave paralele.
Më tej, ajo vuri theksin te çështjet e bashkëpunimit rajonal duke thënë se, Serbia nuk ka të drejtë as legale as politike të insistojë në Rezolutën 1244 sepse Kosova është njohur si shtet nga shumica e vendeve të rajonit dhe të BE-së dhe se kjo Rezolutë i referohet “Jugosllavisë” e cila nuk ekziston më dhe se Serbia nuk është trashëguesja e këtij shteti.
Ajo ftoi Suedinë dhe gjithë vendet e BE-së të kontribuojnë në heqjen e pengesave qëSerbiai shkakton në bashkëpunimet rajonale.
Nga ana tjetër, ambasadori Wahlund, ka thënë se Suedia përkrah rrugën evropiane të Kosovës dhe se Qeveria e tij angazhohet për paqe të përhershme në Ballkan. Ai ritheksoi se dialogu teknik duhet të vazhdoj dhe se zbatimi i marrëveshjeve dhe arritja e marrëveshjeve të reja janë në funksion të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal si dhe forcojnë perspektivën evropiane të të dyja vendeve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 17:00