Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 20:34

Prishtinë- Gjendja në Merdarë ka bërë që shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ti kërkojë ndërmjetësit evropian në dialog, Robert Kuper, që t’i bëjë presion Serbisë për evitimin e problemeve në zbatimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë.

Tahiri i ka folur Kuperit edhe për probleme të tjera në po këtë pikë, ku po ndalohej kalimi me lejet e njoftimit të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë është arritur në raundin e fundit të dialogut Prishtinë-Beograd, në muajin dhjetor.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Kuper ka bërë të ditur se në biseda me palën serbe ka marrë premtime për zgjidhjen e pengesave teknike dhe normalizimin e lëvizjes së lirë sa më shpejt që është e mundur.

Kalimi i udhëtarëve me letërnjoftim të Republikës së Kosovës në pikat kufitare që çojnë për në Serbi, sot paradite ka qenë i bllokuar plotësisht.

Autoritetet serbe në Merdarë u kanë thënë udhëtarëve se nuk mund të hyjnë më dokumente të Kosovës për shkak të problemeve në sistemin për regjistrimin e të dhënave.

Ndërkohë që pasdite, edhe pse me intensitet të ngadalësuar, ka pasur kalime të udhëtarëve edhe me letërnjoftime të Kosovës, njoftojnë mediat kosovare.

Kolonat e automjeteve të shqiptarëve të Kosovës që përmes pikës kufitare me Serbinë, Mërdarë, shkojnë në vendet perëndimore, megjithëse në numër më të vogël, vazhdon të jetë me kilometra qe nga e premtja e kaluar.

Autoritetet serbe pohojnë se kanë probleme teknike, por sipas udhëtarëve kjo bëhet me qëllim. (LajmeShqip.com)