Lajme Shqip Friday, 06 January 2012 12:56

Deçan (PLOTESUAR, 6 Janar, 22:20)-Eskorta e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, dhe e delegacionit që e shoqëron ka arritur në Deçan, ku aktivistët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ e kanë gjuajtur me gurë eskortën në të cilën ndodheshin zyrtarët serbë, para se të pengoheshin nga policia.

Kreu i Manastirit të Deçanit, ati Sava Janjiq, ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për përpjekjet, që siç ka thënë, ”ekstremistëve shqiptarë” për t’iu pamundësuar vizitorëve të arrijnë në Manastir, me rastin e Krishtlindjeve ortodokse.

“Paraqitjet publike të urrejtjes fetare dhe nacionale nga ana e grupeve ekstremiste, të tilla si ‘Vetëvendosja’, për fat të keq tregojnë se kushtet në të cilat jetojnë serbët në këtë pjesë të Kosovës, janë larg normales”, ka thënë Janjiq, raportojnë mediat serbe.

Por, Lëvizja ‘Vetëvendosje’, e ka hedhur poshtë deklaratën e Janjiqit duke sqaruar se nuk ka urrejtje fetare as nacionale, por është kundër vizitës së Tadiçit në Kosovë.

Aktivistët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ kanë protestuar në Deçan dhe në Pejë kundër vizitës së presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, në Kosovë. Ata kanë bllokuar rrugën ku do të kalonte eskorta e presidentit serb dhe të delegacionit që e shoqëron.

“Vetëvendosje” gjatë protestës po ashtu ka kërkuar heqjen e targave të Serbisë nga veturat që po bartnin vizitorët, për të respektuar parimet e reciprocitetit, pasi shtetasit e Kosovës nuk mund të futen në Serbi me vetura që bartin targa të Republikës së Kosovës.

Në orët e mbrëmjes ka ndërhyrë Policia speciale e Kosovës për të zhbllokuar rrugën.

Dardan Molliqaj, aktivist i ‘Vetëvendosjes’, i tha Radios Evropa e Lirë se 20 aktivistë të këtij subjekti kanë marrë lëndime dhe kanë kërkuar ndihmën e parë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Deçan.

Pavarësisht kësaj, Presidenti serb Tadiq i cili ndodhet në Manastirin e Deçanit në ndezjen e qirinjëve ka dhënë mesazhe paqeje për besimtarët ortodoksë, duke shmangur fjalimet politike.

Ndërsa peshkopi Teodosije u dëshiroi besimtarëve që Nata e Kërshëndellave të jetë festë e paqes, dashurisë dhe çdo të mire dhe që Jezusi “të çrrënjosë nga çdo të keqe nga shpirtrat tonë dhe ndërmjet popujve”.

Presidenti serb Tadiç po qëndron në Kosovë me lejen e Qeverisë së Kosovës, për të marrë pjesë në liturgjinë e nesërme festive që organizon Manastiri i Deçanit me rastin e Krishtlindjeve ortodokse.

 **********************

Deçan (PLOTESUAR, 6 Janar, 18:00) Është pritur me protesta vizita e presidentit serb Boris Tadiç në Kosovë, i cili do të marrë pjesë në liturgjinë fetare për Krishtlindjet ortodokse ne Manastirin e Deçanit.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyra të ndryshme, janë përpjekur  të pengojnë hyrjen në Kosovë të presidenti të Serbisë, Boris Tadiç, i cili do të marrë pjesë në liturgjinë fetare për festën e Krishtlindjeve ortodokse.

Siç bënë të ditur përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditës janë arrestuar 8 aktivistë të saj në magjistralen Prishtinë-Podujevë.

Dardan Molliqaj tha për Radion Evropa e Lirë se aktivistët u arrestuan derisa po udhëtonin në drejtim të vendkalimit kufitar Merdare, me qëllim të pengimit të hyrjes në Kosovë të presidentit serb, Boris Tadiç.

Molliqaj theksoi se aktivistët kanë pasur për qëllim bllokimin e rrugës në momentin e ardhjes së eskortës së presidenti serb.

Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se policia në magjistralen Prishtinë – Podujevë ka ndaluar një furgon me 30 goma të vjetra të automjeteve dhe ka arrestuar deri tash tetë persona.

“Në të njëjtën magjistrale janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, po ashtu edhe ata janë në procedurat e verifikimit, pra po flas për magjistralen Prishtinë – Podujevë, që në total janë 8 persona në procedura të verifikimit”, deklaroi Kelani.

Por pas disa orësh policia njoftoi se ka liruar të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes.

Ndërkohë autoritetet e rendit kanë njoftuar se në qendër të Deçanit është mbajtur një protestë nga qytetarët kundër ardhjes së Boris Tadiqit në Kosovë.

Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Pejës, Zeqir Kelmendi, tha po ashtu se edhe në Pejë është mbajtur një protestë kundër qëndrimit të Tadiqit në Kosovë.

“Protesta në Pejë nuk ka qenë e paralajmëruar, ajo në mënyrë spontane është mbajtur dhe në të kanë marrë pjesë përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të Vetëvendosjes”, tha Kelmendi.

Sipas RTK, presidenti serb do të transportohej me helikopter në manastirin e Deçanit, ndërsa nuk ka informacione nëse ai ka mbërritur atje apo jo.

Nga ana tjetër sipas mediave serbe ambasadori i Rusisë Аleksandër Konuzin dhe peshkopi i Lipjanit Jovan, për shkak të bllokadës nga protestuesit, nuk kanë mundur të shkojnë në Manastirin e Deçanit dhe kanë ndryshuar destinacion drejt Patrikanës se Pejës.

**********************

Autoritetet kosovare thonë se vizita bëhet me lejen e Qeverisë së Kosovës dhe ka karakter religjioz e privat.

Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar  ardhjen  e presidentit serb Boris Tadic në vendin tonë por vizitën e tij në manastirin e Decanit e konsideron të karakterit religjioz dhe krejtësisht privat. 

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuci tha se kërkesa për këtë vizitë është dërguar në Qeverinë e Kosovës dhe se janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ambasadori i Rusisë Aleksandër Konuzin dhe  ambasadori i Bjellorusisë Vladimir Çushin,  do të marrin pjesë sot, në   festimin e Krishtlindjeve ortodokse në Deçan përkatësisht në ceremoninë e Buzmit.
Ambasadorët Konuzin dhe Çushin pritet të marrin pjesë edhe në festën e Lindjes së Krishtit në liturgjinë e shenjtë në Patrikanën e Pejës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha se është kërkuar nga Tadiçi që ta trajtojë vizitën si religjioze dhe jo me karakter politik por përkundër faktit se kjo porosi i është dërguar atij përmes autoriteteve ndërkombëtare, numri dy i Qeverisë nuk e përjashtoi  mundësinë e tejkalimit të përmbajtjes së kërkesës së bërë dhe miratimit të saj.