Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 12:30

Deçan – Kryetari serb Boris Tadiç, përkundër garancive të autoriteteve shtetërore të Kosovës, në Natën e Krishtlindjeve Ortodokse, edhe mbrëmë në Deçan, si gjithnjë deri tani, vizitën e “fetare” e shndërroi në vizitë të qartë politike duke i shkelur kështu normat elementare edhe të  mysafirit të paftuar.

Në mesnatë, kryetari serb ka bërë një deklaratë tipike politike madje edhe kërcënuese. Ai theksoi se kurrë nuk do t’i largojë institucionet paralele të Serbisë në Kosovë.

“Ne nuk do të pranojmë të largojmë institucionet tona. Kjo është e pamundur. Nëse do të bënim këtë, do të pranonim që në plan afatgjatë të kishte zhvendosje të serbëve nga Kosova dhe në të njëjtën kohë do të thoshte se serbët nuk do të kishin as shkolla, as shërbim shëndetësor e social si dhe të tjera nevoja shoqërore”, ka thënë Tadiç nga Deçani për TV Mostin e Zveçanit.

Sipas tij, shumë shtete të fuqishme, anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së po bëjnë presion mbi Serbinë që të heqë institucionet nga Kosova, por që kjo gjë nuk do të ndodhë.

Boris Tadiç dhe suita e tij politike në Deçan është pritur me gurë dhe me protesta.