Lajme Shqip Friday, 22 November 2013 15:37

Tiranë- Qindra qytetarë, nxënës dhe studentë i janë bashkuar nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” në Gjirokastër. 

Në krye të iniciativës u vu ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale Erjon Veliaj, i cili është ndalur fillimisht për të takuar studentë të Universitetit “Eqrem Çabej”, ku ka bërë publike rezultatet e para të këtij aksioni kombëtar. 

Disa qindra ton mbetje urbane rezultuan se ishin pastruar në disa pika kritike në qytetin e Gjirokastrës që në orët e para të mëngjesit. Aksioni u përqendrua në lagjet e sipërme tradicionale por edhe në pjesën e re të qytetit.

“Eshtë momenti për të menduar në çfarë Shqipërie duam të jetojmë dhe është shumë e mirë që ne protestojmë që ne mos të na vijnë plehrat e huaja, por është shumë e rëndësishme që ne mos të bëjmë pis Shqipërinë tonë, nëse duam të integrohemi në Europë ne duhet të sillemi si europianë sot. Më shumë se 100 vullnetare të çdo moshe janë në krye të kësaj detyre fantastike dhe qytetari”, tha ministri Veliaj.

Eshtë momenti i duhur për të parë që me vullnetarizëm mund të bëjmë gjëra shumë të mira në Shqipërinë tonë”, tha Zamira Rami, prefekte e Qarkut të Gjirokastrës.

Më tej disa dhjetëra vullnetarë dhe efektivë policie i janë drejtuar pikës kufitare të Kakavijes për të pastruar mbetjet në hapësirën hyrëse për në Shqipëri çka sipas vullnetarëve është edhe imazhi i parë për të gjithë ata që vizitojnë vendin./ Top Channel/