Lajme Shqip Friday, 22 February 2013 16:10

Athinë – Një vajzë 23 vjeçare ka vdekur sot në mëngjes në Athinë, e bllokuar në makinën e saj, nga ujërat që përmbytën kryeqytetin grek. 

23 vjeçarja vdiq në kohën e stuhisë, edhe pse njerëzit u përpoqën ta nxjerrin nga makina e saj, që ishte bllokuar nga uji e balta. 

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Marusi-Halandri 52”, ku shoferët që ndodheshin pranë e nxorrën nga makina në gjendje të fikëti dhe e nisën në spital, por ishte tepër vonë, sepse ajo ndërroi jetë para se të mbërrinte aty. 

I gjithë kryeqyteti grek është zhytur në kaos pas stuhisë së shiut dhe erës që goditi gjatë orëve të para të mëngjesit dhe vazhdon ende. 

Shirat dhe erërat e mëdha kanë krijuar probleme serioze në qarkullimin e mjeteve, pasi shumë rrugë janë përmbytur dhe janë bllokuar. Radhët e automjeteve janë me kilometra të gjata për shkak të vështirësisë në qarkullim. 

Forcat zjarrfikëse thanë se kanë marrë mbi 600 telefonata nga qytetarë për shtëpi dhe dyqane të përmbytura. 50 ekipe prej tyre janë në terren për pompimin e ujit në zona të ndryshme të Athinës. 

Në vendin e quajtur Stamata, forcat zjarrfikëse mundën të evakuojnë pasagjerët e një automjeti që u rrëmbye nga uji. 

Shumë zona janë zhytur në errësirë për shkak të përmbytjes së nënstacioneve të energjisë. 

Meteorologët parashikojnë se një situatë e tillë do të vazhdojë edhe gjatë orëve në vazhdim. (LajmeShqip.com)