Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 16:00

Durrës – Atmosfera e fundvitit në Durrës ka patur një tjetër surprizë artistike. Meri Laro, studente në degën e arkitekturës, ka çelur mbrëmjen e kaluar ekspozitën e saj të parë personale në fushën e fotografisë. Në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” në qendër të qytetit dhjetra dashamirës të artit ndoqën punimet, të cilat sipas autores së re, janë realizuar gjatë vitit 2011.

46 fotot e ekspozuara, shumica e të cilave me ngjyra, sjellin peisazhe nga pika turistike të vendit, ndërsa nuk mungojnë edhe fotot e personazheve të veçantë, të fiksuar në momente po aq të veçanta të jetës së tyre. Në galeri nuk mungojnë edhe fotot ironike apo ato ku ndjehet shqetësimi i vetë fotografes. 23-vjeçarja Meri Laro, ka zbuluar pasionin e saj për fotografinë gjatë studimeve në degën e arkitekturës. Një aparat fotografik dhe mundësia për të udhëtuar e kanë zgjeruar horizontin artistik dhe profesional të artistës së re, e cila megjithëse pranon që është një fotografe amatore, po punon për tu paraqitur me një ekspozitë personale edhe para publikut kryeqytetas.

Disa vjet më parë, Laro ka marrë leksione vizatimi nga artisti i njohur Gavril Priftuli dhe bashkë me fotografinë ka kultivuar paralelisht edhe pikturën. “Do të më pëlqente të realizoja edhe foto në ceremonitë e dasmave, thotë Laro. Ato janë të mbushura me shumë gjallëri dhe momentet për tu fiksuar janë të shumta”.

Ekspozita fotografike e Meri Laros do të qëndrojë e hapur deri ditën e shtunë. Kjo është ekspozita e 31-të në galërinë “Nikolet Vasia”, e cila është hapur në maj të këtij viti.