(E plotësuar) – Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florije Ahmeti, i tha Koha. net se gjatë ndërhyrjes për zhbllokimin e Rektoratit të UP-së, policia ka arrestuar 25 studentë protestues. Ajo nuk sqaroi se çfarë veprimesh të mëtejshme do të merren ndaj të arrestuarve, por njoftoi për dy policë të lënduar. Ajo paralajmëroi se ndërkohë Policia do të prononcohet përmes një komunikate për atë që ka ndodhur sot gjatë aksionit për zhbllokimin e Rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”.
Policia arsyeton ndërhyrjen
Policia e Kosovës përmes një kumtese për media ka njoftuar lidhur me zhvillimin e protestës së studentëve para Rektoratit të UP-së. Në kumtesë policia thekson gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta, policia ka monitoruar rrjedhën e saj dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimit policor, duke kërkuar nga protestuesit që të lirojnë hapësirën të cilën e kishin bllokuar, me qëllim që të krijohen rrethana të përshtatshme për punë në Rektorat.“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që ka marrë kërkesën nga ana e Rektoratit të UP-së për t’u mundësuar hyrjen në ndërtesë si dhe për t’u krijuar rrethana optimale për punë. Përkundër thirrjeve dhe paralajmërimit policor, protestuesit nuk kanë përfillur zyrtarët policorë dhe njëkohësisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit si dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë penguar zyrtarët policorë që të ushtrojnë autorizimin dhe kompetencën e tyre. Megjithatë policia, me qëllim të neutralizimit të një situate të tillë, ka bërë një reagim duarthatë, edhe pse rezistenca e protestuesve ka qenë shumë e shprehur”, thuhet në komunikatë.
Policia njofton se ka shoqëruar në stacionin policor 27 persona, ndaj të cilëve ka filluar procedura hetimore. Sipas Policisë, një nga këta persona (femër) ka kërkuar ndihmën mjekësore dhe ajo i është ofruar.
Ndërkaq, përgjatë reagimit edhe dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.
“Aktualisht policia bashkërisht me prokurorin e shtetit, janë në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, me qëllim të trajtimit të rrethanave të kësaj ngjarje. Ndërkohë që protesta po vazhdon ende jashtë hapësirës së Rektoratit të UP-së, policia po monitoron rrjedhën e situatës”, bën të ditur Policia e Kosovës./koha/
Studentët bllokojnë Rektoratin. Kërkojnë dorëheqjen e Gashit
Prishtinë- Që nga orët e hershme të mëngjesit, dhjetëra student kanë bllokuar hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
Studentët kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi si dhe kanë një sërë kërkesash tjera, ndër to, edhe largimin e ndikimit të pushtetit në UP.
Studentët mbajnë në duar parulla si “UPrish”, “Ibrahim HUP”, etjerë.
Ndërkohë, raportohet se aty po qëndrojnë edhe forca policore. Policia ka kërkuar nga studentët që të lirojnë dyert e Rektoratit./LajmeShqip/
Tuesday, 28 January 2014 11:06