Strugë – Në Strugë, pa lejen e autoriteteve komunale, po bëhen përgatitje për ngritjen e një kishe pranë plazhit të femrave, ku aktualisht qëndron një ikonë e vendosur, po ashtu në mënyrë të jashtëligjshme. Ndërtimi i këtij projekti, siç bëhet e ditur, ka si bartës partinë maqedonase VMRO-DPMNE, e cila i qëndron në prapavijë kësaj nisme. Shoqatat maqedonase në Strugë kanë nisur deponimin e kontributeve për ndërtimin e kishës në këtë lokacion, i cili është në procedurë gjyqësore. Ndërtimi i kishës po synohet të bëhet në lokacionin që është pronë private e një qytetareje të Strugës, Rabija Sadikovska, e cila kishte blerë truallin pas një tenderi të shpallur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Por, prona e saj tanimë po kontestohet nga qytetarët maqedonas dhe shoqata “Nasha Struga”, me pretendimet e tyre se aty ka pasur kishë dhe ajo tokë është pronë e kishës.
Duke u nisur nga kjo, ata kanë vendosur një ikonë ortodokse, që asokohe ka shkaktuar edhe tensione ndëretnike dhe ndërfetare. Blerësja, pronarja e re ka pohuar se në licitacionin e shpallur nga Ministria e Transportit, e ka blerë pronën dhe përmes fletë pronësisë-tapisë, numër 1225/1396 nga viti 2006, dëshmon se është pronare legjitime dhe e pakontestueshme. Këshilli kishtar i Strugës, ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit në Manastir rreth kësaj toke, si dhe kanë bërë kërkesë për denacionalizim, kërkesë që është konsideruar si e jashtëligjshme pas skadimit të afatit të parashtresave. Pala maqedonase pretendon se aty gjenden themelet e kishës “Kisha e Zojës” nga shekulli i 15, herë flitet se bëhet fjalë për kishën e “Shën Nikollë Drimenit”, që sipas gojëdhënave ajo kishë paska qenë afër Drinit. Ditë më parë kryeministri, Nikolla Gruevski ka thënë se Struga është dhe do të bëhet maqedonase, por këtë e ka kundërshtuar kreu i BDI-së me deklaratën e tij se Struga ka qenë dhe do jetë shqiptare.
Monday, 30 May 2011 10:20