Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 21:39

Strugë – Ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Kristofer Ivon është takuar të premten me kandidatët për deputetë të të gjitha forcave politike nga Struga. Ai i porositi ata për zgjedhje korrekte dhe demokratike parlamentare, sepse do të thonë se Maqedonia ka përmbushur një nga elementet themelore që do ta përshpejtojnë procesin e eurointegrimeve të vendit.

“Zgjedhje pa incidente dhe dhunë, do të thonë se të gjithë ju e keni arritur pjekurinë. Me këtë do t’i tregoni perëndimit se meritoni të jeni pjesë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Ivon. Ju si vend, ka thënë ai, veçmë keni rekomandim për hapjen e negociatave paraqasëse me Unionin dhe unë do të dëshiroja që ky rekomandim të përsëritet edhe një herë.

“Në Maqedoni deri tani nuk kam marrë pjesë në asnjë zgjedhje, prej asaj që e dëgjoj nga njerëzit, e di se fushata për këto zgjedhje është më pozitivja se kurdoherë deri më tani”, ka shtuar ambasadori Ivon.

Bartësi i Njësisë së pestë zgjedhore nga BDI-ja, Arben Labunishti bëri thirrje për respektimin e votës së qytetarëve.

“Gjendemi para një sfide të madhe, ku secili qytetar do të duhet të zgjedhë mes programeve dhe filozofive”, ka thënë Labunishti.

Kandidati për deputet i PDSH-së, Zijadin Sela kërkoi që bashkësia ndërkombëtare ta përforcojë praninë e saj në këto zgjedhje.

“Problem kryesor për të gjithë ne është mungesa e debatit për të gjithë atë që po ndodh në shtet. Për këtë shkak, shumë probleme dalin nga kontrolli dhe na ndodhin në rrugë”, tha Sela.

Tribuna në Strugë ka qenë pjesë e fushatës “Çfarë shenje do të lëmë”, që e realizon Instituti demokratik kombëtar.