Tiranë – Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet dhe delegacionin që e shoqëronte, në përfundim të misionit të tyre për monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve vendore.
Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se shefi i ekzekutivit e falenderoi z. Stonestreet për kontributin që ai dhe delegacioni i OSBE/ODIHR-it dhanë në vëzhgimin me profesionalizëm të lartë të zgjedhjeve vendore të 8 majit në Shqipëri.
Nga ana e tij, kreu i misionit vëzhgues e falënderoi Kryeministrin për bashkëpunimin e shkëlqyer që patën me qeverinë shqiptare dhe gjithë institucionet e saj, si dhe për transparencën e plotë që Berisha dhe qeveria e tij i ofruan, duke u krijuar të gjitha kushtet për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sukses të plotë misionin e tyre.
Në takim u vlerësua ecuria e qetë dhe pa asnjë incident e procesit zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve, saktësia dhe transparenca e procesit të numërimit, gjatë të cilit vëzhguesit shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë patën akses të plotë për të vëzhguar numërimin e votave të qytetarëve shqiptarë si dhe u vlerësuan një sërë aspektesh pozitive të cilësuara si arritje në këto zgjedhje, në dallim me zgjedhjet e mëparshme dhe që janë përfshirë edhe në Raportin e Ndërmjetëm të ODIHR.
Stonestreet theksoi se në aspektin e përdorimit të burimeve të administratës publike u pa një përmirësim i qartë në krahasim me zgjedhjet e shkuara, ndërsa vlerësoi edhe sjelljen tërësisht profesionale dhe të paanshme të Policisë së Shtetit gjatë gjithë procesit.
Në takim, të dy palët theksuan, gjithashtu, rëndësinë e fillimit sa më shpejt të reformës zgjedhore si dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të mëparshme si dhe atyre që do të dalin nga raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, për konsolidimin e një procesi zgjedhor sa më efikas dhe garantues për zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve evropiane.
Në përfundim, z.Stonestreet bëri të ditur se Misioni i OSBE/ ODIHR do të ndjekë të gjitha fazat e procesit zgjedhor deri në përmbylljen e plotë të tij.
Friday, 20 May 2011 18:00