Beograd-Kreu i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka deklaruar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë pas Vitit të Ri, nëse “pala tjetër ndryshon qëndrimin e saj rreth Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara”.
“Sipas të gjitha gjasave, pas Vitit të Ri do të vazhdojmë negociatat me Prishtinën. Por për të ardhur deri te një gjë e tillë duhet të qartësohet situata rreth Rezolutës 1244”, ka thënë Stefanoviç për mediat serbe.
Sipas tij, pala serbe kërkon përfshirjen e Rezolutës së OKB-së në përfaqësimin e Kosovës.
Duke komentuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, ai ka thënë se qytetarët, së shpejti, nuk do të paguajnë sigurimin e makinave në pikëkalimet me Kosovën, pasi, siç është shprehur ai, shoqatat e sigurimeve të të dyja palëve do të nënshkruajnë marrëveshje.
Beogradi ka vendosur tarifën prej 60 eurosh për shtetasit e Kosovës, të cilët duan të qarkullojnë në shtetin serb – vendim, të cilit Prishtina zyrtare i është përgjigjur me reciprocitet. Vetëm një ditë më parë nisi edhe zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë me tarifat e reja.
Tuesday, 27 December 2011 12:05