Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 14:09

TIRANE –Një ditë pas propozimit të kreut të PS-së për mbledhjen e një tryezë të partive parlamentare, për zgjidhjen e ngërçit që është krijuar nga çështja e Qarkut të Fierit, Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, kërkon që palët të mblidhen sa më parë, në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën drejt integrimit.

Në një prononcim për mediat, në përfundim të konferencës së organizuar në Shkollën e Magjistraturës, ambasadori Sequi theksoi se mbetet pak kohë për përmbushjen e reformave. 

ARVIZU: ÇDO GJË QË NXIT KOMUNIKIMIN DO TË NDIKOJË MIRË TE REFORMAT
Ndërkohë ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksander Arvizu theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013-të, duke sjellë edhe njëherë në vëmendje mesazhin që përcolli në Tiranë, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Ambasadori Arvizu nuk pranoi të komentonte propozimin e kreut të PS-së për tryezë të përbashkët për zgjidhjen e çështjes së Fierit, por theksoi domosdoshmërinë për dialog mes palëve.

“Nxisim Shqipërinë që të vazhdojë me reformat. Çdo gjë që nxit komunikimin do të ndikojë mirë te reformat. Dialogu është çelësi për zgjedhje të lira”,- u shpreh ambasadori Arvizu.

PROPOZIMI I RAMES
Partia Socialiste kërkoi dje mbledhjen e një tryezë të partive parlamentare për zgjidhjen e çështjes së Qarkut të Fierit, me të cilën ka kushtëzuar votimin e 3 ligjeve të kërkuara nga BE-ja në mënyrë që Shqipëria të sigurojë në dhjetor statusin e vendit kandidat.

Por selia blu reagoi duke pretenduar se nuk sheh asnjë lidhje mes “Fierit” dhe tri ligjeve të integrimit. Ftesës së kryesocialistit Edi Rama për një tryezë që do të zgjidhte ngërçin, Partia Demokratike iu kundërpërgjigj kësisoj, se në bisedime ulet vetëm për çështjet e integrimit.

Kryetari i PS-së, Edi Rama i bëri apel kryetarit të PD-së, Sali Berisha; atij të LSI-së, Ilir Meta; si edhe kryetarëve të PDIU-së e të PR-së, Shpëtim Idrizi e Fatmir Mediu, për një përpjekje të përbashkët për zgjidhjen e problemit të Fierit. Sipas Ramës, vetëm në këtë mënyrë do t’i hapë rrugën votimit të Rregullores së re të Parlamentit, si edhe dy ligjeve të përcaktuara nga Komisioni Europian si të nevojshme në rrugën e marrjes së statusit. (LajmeShqip.com)