Lajme Shqip Saturday, 04 May 2013 10:53

Prishtinë – Komisioni për njohjen e statusit të burgosurit politik ka vazhduar, edhe për një muaj, afatin për aplikim, pasi ka vlerësuar se ende ka të interesuar për të aplikuar për të drejtën e tyre. Kryetari i këtij komisioni,

Hydajet Hyseni, në një intervistë për Kosovapress, ka thënë se secilit person do t’i njihet e drejta e tij nëse i plotëson kushtet, duke e vërtetuar me dokumentacion të mjaftueshëm dënimin e tij politik.
“Komisioni për njohjen e statusit të të burgosurve politik mbanë mbledhje të herëpashershme në të cilat shqyrton ecurinë e aplikimit dhe çështjeve tjera vijuese. Në mbledhjen e tij, komisioni vendosi që të zgjatë afatin e aplikimit për këtë fazë edhe për një muaj deri me 31 maj. Kjo për arsye se ditëve të fundit kishte një fluks me të madh edhe për shkaqe që dihen, që qytetarët kanë vështirësi në grumbullimin e dokumentacionit, ndoshta pak edhe nga praktika jonë që t’i lëmë çështjet për në fund dhe duke pasur mirëkuptim për telashet që kanë aplikuesit komisioni vendosi që ta zgjatë afatin edhe për një muaj. Besoj që kjo do të shfrytëzohet për të përgatitur me kohë aplikimin dhe dokumentacionin e nevojshëm”, ka thënë veç tjerash Hyseni.