Tiranë – Në nëntor të 2010-ës, shtetet palë të Konventës së Otavës “Për ndalimin e Përdorimit, Magazinimit, Prodhimit, Transferimit dhe Shkatërrimit të Minave Kundër-Personel”, i kaluan Shqipërisë, presidencën e radhës së kësaj Konvente për një periudhë një vjeçare.
Në kuadër të Presidencës shqiptare të Konventës së Otava-s, në bashkëpunim me Njësinë e Zbatimit të Konventës (ISU) dhe Bashkëkryetarët e Komitetit për Bashkëpunim dhe Asistencë ndaj Viktimave të Minave të Konventës së Otava-s (Konventa për ndalimin e Minave Anti-personel), po zhvillohet në Tiranë, nga data 30 maj deri më 1 qershor, Simpoziumi Ndërkombëtar mbi “Forcimin e Bashkëpunimit dhe Asistencës ndaj Viktimave të Minave, në zbatim të qëllimeve të Konventës për Ndalimin e Minave anti-personel”.
Ky simpozium, me pjesëmarrjen e rreth 150 ekspertëve dhe diplomatëve, të cilët punojnë në fushën e bashkëpunimit dhe asistencës ndaj viktimave të shkaktuara nga minat anti-personel, ka si synim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e asistencës ndaj viktimave të minave dhe zbatimit të Planit të Veprimit të Konferencës së Dytë Rishikuese të Kartagjenës.
Në fjalën e tij, zv/ministri i Mbrojtjes, Arian Starova, deklaroi se “Shqipëria tashmë është një vend pa mina dhe kjo punë e madhe, u krye mbështetur nga një program kombëtar i veprimit ndaj minave dhe sipas standardeve ndërkombëtare të veprimit ndaj minave”.
Sipas tij, kjo arritje e madhe për Shqipërinë u bë e mundur edhe nëpërmjet ndihmës bujare financiare të ofruar nga SHBA, Komisioni Evropian, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare.
“Qeveri shqiptare është në procesin e përpjekjes së saj për të përmbushur me përgjegjësi detyrimet ndaj një numri të madh të të dëmtuarve nga mina tokësore, duke u mbështetur në një program asistence të veçantë, me synimin përmirësimin e cilësisë së jetës të përditshme të tyre”, nënvizoi Starova.
Zv.ministri i Mbrojtjes u shpreh se veprimtaria për të dëmtuarit nga minat, nuk mund të jetë e shkëputur dhe duhet të përfshijë të gjithë individët me aftësi të kufizuar.
Gjatë periudhës 1 vjeçare të Presidencës shqiptare pritet të zhvillohen një sërë aktivitetesh të rëndësishme si takimet e Komitetit Koordinues të Shteteve Palë të Konventës, promovimi i universalizimit të Konventës, organizimi i disa aktiviteteve rajonale, si dhe drejtimi i mbledhjeve të ndërmjetme të Konventës deri në Takimin e 11-të të shteteve palë, që do të zhvillohet në Kamboxhia në nëntor 2011.
Konventa për Ndalimin e Përdorimit, Magazinimit, Prodhimit dhe Transferimit të Minave Kundër-Personel dhe Shkatërrimin e tyre, e vitit 1997, u adoptua në Oslo dhe u hap për nënshkrim në Otavë. Ajo ka 156 shtete palë, të cilat e kanë nënshkruar dhe ratifikuar Konventën.
Tuesday, 31 May 2011 12:44