Lajme Shqip Monday, 19 October 2015 13:36

Zyra e kryeministrit përmes një sqarimi për medie ka bërë të ditur se kryeministri Isa Mustafa ka marrë një ftesë nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, për një takim, por për ditën e martë dhe jo për sot, siç kanë raportuar mediet.

 “Me qëllim të informimit të saktë të opinionit lidhur me iniciativën e Presidentes së Republikës së Kosovës për takim me kreun e Qeverisë, kreun e Kuvendit dhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të institucioneve, ju njoftojmë se kryeministri Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës ka pranuar ftesë zyrtare nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të marrë pjesë në takim, ku do të diskutohet për zhvillimet në vend.

Sipas ftesës zyrtare, ky takim ishte paraparë që të zhvillohet të martën, me datë 20 tetor 2015.

Mirëpo, për shkak të angazhimeve të bartësve të institucioneve të Kosovës dhe rëndësisë së çështjeve që do të diskutohen, takimi ndërmjet udhëheqësve të institucioneve të Republikës së Kosovës do të zhvillohet sot pasdite në Presidencë”, thuhet në sqarimin e Zyrës së kryeministrit.