Lajme Shqip Saturday, 16 June 2012 08:15

A e dinit që futbolli ndihmon në ndërtimin e sistemit të qarkullimit të gjakut, fortësimit të eshtrave? Por që çiklizmi dhe patinimi zhvillojnë ekuilibrin dhe koordinimin në hapësirë?

Ekspertë të kësaj fushe rekomandojnë që fëmijët të paktën një orë në ditë duhet ta kalojnë me ndonjë aktivitet trupor. Sporti është argëtues dhe më shumë tërheqës sesa qëndrimi përpara kompjuterit apo televizorit.

Përveç të qenit argëtues, sporti është edhe krijues për fëmijët, prandaj sezoni veror është stina ideale që ato të mësohen me sporte. Gjithçka mund t’ia nisni në formë argëtimi, si për shembull duke shkuar bashkë me të në një piknik me biçikletë.

Ushtrimet e rregullta nuk janë të rëndësishme vetëm për shkak të zhvillimit të konstruktit trupor, por edhe për pjekurinë mendore. Kështu, futbolli, përveç që është i shkëlqyeshëm për zhvillimin e kondicionit, sistemit të qarkullimit të gjakut dhe fortësimit të eshtrave, do t’i mësojë fëmijët me punën ekipore, por edhe si të përballen me humbjen.

Gjithsesi, pavarësisht se cilin aktivitet do të zgjedhin, truri do të marrë më shumë oksigjen dhe do të nxisë rritjen e qelizave të reja, pasi hulumtimet e reja kanë treguar se neuronet e reja krijohen gjithnjë deri në fund të pubertetit. Kështu, falë sportit fëmijët tuaj do të rriten me më shumë energji dhe me më shumë aftësi përqendruese. (LajmeShqip.com)