Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 09:50

Tiranë – Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve pritet të nisë të premten seancat dëgjimore të veçanta me deputetët e Partisë Socialiste, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare, për të cilët Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e imunitetit, lidhur me rolin e tyre në protestën e 21 janarit.

Tre ditë më parë, pas shumë polemikash, Këshilli vendosi që të thërrasë sot (ora 10:00) tre deputetët, ku i pari do të dëgjohet deputeti Doshi, për të dhënë shpjegime rreth kërkesës së organit të akuzës.

Rregullorja e Kuvendit (neni 118) parashikon që kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm.

Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin. Ky i fundit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.