Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 13:38

Përfundon sot zyrtarisht afati i aplikimit për amnistinë fiskale për biznesin, ndërsa përmes një vendimi të këshillit të ministrave u bë e mundur shtyrja me 5 muaj e këtij procesi për qytetarët që do të bëjnë rivlerësimin e banesave të tyre.

“Proçesi për amnistinë fiskale, ndaj biznesit përfundon më datën 31 Mars, dhe pas këtij afati do të zbatohen me rigorozitet masat e parashikuara në ligj për ushtrimin e kontrolleve dhe penaliteteve për detyrimet e prapambetura të biznesit ndaj administratës tatimore dhe doganore”, kanë sqaruar burime zyrtare të ministrisë së Financave.

Sipas tyre, nga ky proces janë shënuar arritje në rivlerësimin e pasurisë së paluajtëshme.

“Shtyrja që i është bërë amnistisë fiskale ka rezultuar i suksesshëm përsa i përket indidividëve, pasi ka patur një numër të madh qytetarësh që kanë bërë rivlerësim të pasurisë së tyre të paluajtshme në tre muajt e parë të këtij viti”, theksuan burimet.

Përsa i përket faljes së borxheve tatimore e doganore, burimet shtuan se biznesi nuk paraqiti interesin e pritur. Sukses, thanë burimet ka pasur në rivlerësimin e aseteve të paluajtshme, ndërsa nuk kapi pritshmëritë legalizimi i parave nga individët.

“Prisnim që të përfitonin më shumë individë nga ky proces dhe gjithashtu edhe bizneset nuk kanë përfituar shumë nga ky proces”, shtuan burimet.

Amnistia Fiskale nisi të zbatohet në datën 18 Maj të vitit 2011 dhe parashikohej të përfundonte në 31 Dhjetor të po këtij viti. Qeveria shtyu për një periudhë tremujore amnistinë fiskale, nga data 31 Dhjetor 2011 deri më 31 Mars 2012, për të gjitha kategoritë e parashikuara në ligjin e amnistisë fiskale për individë dhe biznese. Ndërsa të mërkurën vendosi shtyrjen deri në 31 Gusht të këtij procesi vetëm për individët që duan të rivlerësojnë pasurinë, për ti bërë të mundur këshu emigrantëve që kthehen në Shqipëri në sezonin veror të mund të përfitojnë nga ky proces.