Tiranë – Dy ditë para se zyrtarisht të shpallen nominimet, mediat shqiptare kanë shkruar se sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, është në garë për “British Awards”. Roli i Jahos në “Triptikun” e Puçinit, të cilin e ka interpretuar disa muaj më parë në Londër, është nominuar për çmimin prestigjioz, i cili njihet si “Oscar-i britanik”. Sipas ueb faqes zyrtare të “British Awards”, lista me të nominuarit për çmime do të publikohet nesër.
Jaho thuhet të jetë nominuar për rolin e murgeshës Anxhelika në “Triptikun” e Puçinit me të cilin vitin e kaluar u ngjit në Operën Mbretërore të Londrës. Interpretimi i saj u prit mirë nga kritika botërore. Shfaqja operistike do të dalë në DVD dhe do të jepet në kinematë botërore që nga shkurti i këtij viti. Sopranoja shqiptare, e cila jeton në Nju-Jork, ka tre vjet që është bërë e preferuara e Royal Opera House dhe ka kontratë deri në vitin 2015, me shtëpinë prestigjioze operistike.
Në agjendën e saj përfshihen performanca në Filadelfia, Vjenë, Berlin, Verona dhe Liban. Jaho përgjatë karrierës së saj është ‘stacionuar’ në teatro prestigjiozë, duke përfshirë “Metropolitan Opera” në Nju-Jork, “Opera de Marseille” në Paris e shumë të tjera.
“British Awards” këtë vit mbahet për të 32-tën herë dhe në kuadër të saj, në muajin maj, mbahet edhe ceremonia për çmimet e muzikës klasike që njihet si “Classic BRIT Awards”. Ky çmim ka filluar të ndahet që nga viti 1977, dhe si eveniment i përvitshëm ka nisur nga viti 1982. Nga viti 2007, “Brit Awards” transmetohet drejtpërdrejtë në televizionin e njohur BBC. Edicioni i vitit të kaluar të “Brit Awards” për herë të parë është mbajtur në “O2 Arena” në Londër.
Thursday, 12 January 2012 09:31