Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 12:40

Washington – Kandidati republikan Mitt Romney po shkëputet nga rivali i tij Newt Gingrich, me 9 pikë më lartë në sondazhet e zhvilluara në Florida.

Kandidatët po zhvillojnë fushatë në një shtet kyç përpara mbajtjes së zgjedhjeve primare javën e ardhshme.

Kuotat e Romnit u rritën një ditë pasi ai e detyroi Gingriçin që të mbrohej në një debat televiziv kokë më kokë.

Kandidati fitues mes republikanëve do të përballet me presidentin Barack Obama për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në muajin nëntor.

Një sondazh i kryer nga “Quinnipiac University” dhe i publikuar të premten e vendoste Romnin në 38 përqind, kundrejt 29 për qind të Gingriçit.

Sondazhi në Florida u krye para se kandidatët të përplaseshin në debatin televiziv të së enjtes, ku u diskutua për çështjen e emigracionit.

Edhe një sondazh tjetër i kryer nga ‘Sunshine State News’ e nxjerr Romnin 9 pikë më lart se rivali i tij, konkretisht 40 kundër 31 përqind.

Megjithatë, një sondazh kombëtar i bërë nga Gallup tregon se ish-guvernatori i Masaçusetsit kryeson ndaj ish-kryetarit të Dhomës vetëm me 8 përqind.

Ndërkohë, ish-senatori i Pensilvanisë, Rik Santorum dhe kongresmeni i Teksasit, Ron Paul ndodhen shumë mbrapa dy kandidatëve të mësipërm.