Lajme Shqip Saturday, 19 May 2012 10:58

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës pritet që së shpejti ta ratifikojë marrëveshjen për statusin e forcave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SOFA), e cila është nënshkruar më 18 shkurt të këtij viti nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns, dhe nga ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Zyrtarë të lartë institucionalë kanë bërë të ditur se presidentja Atifete Jahjaga, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese, tashmë i ka kërkuar Kuvendit që ta fusë në votim këtë marrëveshje, në njërën nga seancat e radhës që do t’i mbajë. Këshilltari për informim i presidentes, Arbër Vllahiu, nuk e ka mohuar parashtrimin e një kërkese të tillë në Kuvend, ashtu sikur nuk ka dhënë shpjegime rreth përmbajtjes së marrëveshjes dhe rëndësisë që ka ratifikimi i saj.

SOFA në fakt siguron kornizën ligjore brenda së cilës personeli civil i ushtrisë amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së do të veprojë në Kosovë. Në bazë të saj ky personel, që nuk është pjesë e misionit të NATO-s, parashihet të punojë me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me qëllim të zhvillimit të aftësive të kësaj force në kryerjen e katër misioneve: zjarrfikjen, kërkim-shpëtimin, largimin e materieve të rrezikshme, si dhe largimin e mjeteve eksplozive.(K.N)