Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 11:02

TIRANE -Duhet thënë një mijë herë e vërteta, sepse edhe gënjeshtra një mijë herë thuhet”. (Gëte) Nëse ka në historinë tonë një figurë, portretizimi i së cilës është përvijuar në mënyrën më përfundimtare nga shkenca, krijimtaria popullore dhe letërsia shqiptare, kjo pa dyshim është figura e Skënderbeut. Kaq i saktësuar dhe i përgjithësuar është ky portretizim, sa jo vetëm nuk parashikohet të pësojë ndryshime, por praktikisht e ka kthyer Skënderbeun në figurë kanonike, në shenjt të historisë sonë. Skënderbeu, si askush tjetër për ne shqiptarët, është realisht i njëvlefshëm, i barabartë me vlerën e flamurit kombëtar, të himnit kombëtar, të identitetit kombëtar.

Mos kjo do të thotë se për ne Skënderbeu është një mit? Aspak. Thjesht për çdo shqiptar me mendje dhe zemër është e qartë se realizmi madhështor i kësaj figure nuk është veçse pasqyrë e realitetit madhështor të veprës historike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Ia vlen të rikujtohen tiparet themelore të figurës së Skënderbeut.

Së pari, Skënderbeu është nismëtari i qëndresës së shqiptarëve në mes të shek.XV, njërës prej qëndresave më të shënuara të kombit tonë në të gjithë historinë e tij, për më tepër përballë fuqisë më të madhe të Evropës dhe Mesdheut në atë kohë. Kjo qëndresë nisi me kthimin e tij në atdhe dhe praktikisht u mbyll me vdekjen e tij.

Së dyti, Skënderbeu është nismëtari i krijimit të forcës së bashkuar ushtarake të shqiptarëve në kushtet e copëzimit feudal të trojeve të banuara dhe të qeverisura prej tyre. Pa krijimin e kësaj force të bashkuar, të këtij organizimi ushtarak, qëndresa do të kishte qenë e pamundur. Kjo forcë e bashkuar e shqiptarëve të vetëqeverisur u krijua me nismën e Skënderbeut, u mbajt falë vullnetit dhe aftësive të tij të rralla organizuese e luftarake dhe praktikisht shkoi drejt shthurjes me vdekjen e tij.

Së treti, Skënderbeu është nismëtari i krijimit të një tipi të ri të ushtrisë, ushtrisë jo rrogëtare por popullore, forca e vetme e së cilës ishte lidhja praktikisht e pandarë e trupës së luftëtarëve me kryekomandantin, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë dhe pa dallim nëpër beteja e luftëtarëve, oficerëve dhe vetë kryekomandantit. Karakteri popullor i ushtrisë shqiptare gjatë qëndresës së shek.XV u frymëzua nga Skënderbeu dhe u shua me shuarjen e tij. Historia e botës nuk njeh shumë shembuj të tillë.

Së katërti, Skënderbeu është nismëtari i përpjekjes më të madhe, të ndërmarrë në historinë tonë para vitit 1912, për krijimin e një shteti shqiptar, domethënë të një subjekti politiko-ekonomik pak a shumë të mëvetësishëm të bashkësisë ndërkombëtare. Ky organizëm mori jetë me kthimin e Skënderbeut në atdhe, u forcua nën kujdesin dhe veprimtarinë e tij të pareshtur e largpamëse dhe u shemb me vdekjen e tij.

Së pesti, Skënderbeu është nismëtari i ngulitjes te bashkatdhetarët të vetëdijes së lartë, tejet përparimtare edhe për kohën e sotme, se lidhja e shqiptarëve nuk mbështetet te feja por te përbashkësia e përkatësisë kombëtare. Pikëpamja e shprehur nga Pashko Vasa në mes të shek.XIX se “feja e shqiptarit asht shqyptaria” nuk ishte veçse një kumtim poetik i asaj që kishte ndërmarrë dhe praktikisht realizuar katër shekuj më parë Skënderbeu. Pa këtë vetëdije, pa këtë frymë të mbështetur jo te feja por te kombi, do të kishin qenë të pamundura lidhja e shqiptarëve, organizimi i ushtrisë, formësimi i organizmit shtetëror, vetë qëndresa e madhe. Vetëdija kombëtare e shqiptarëve u ngrit në plan të parë nga Skënderbeu dhe u kthye përsëri në hije me vdekjen e tij.
Së gjashti, Skënderbeu është nismëtari i krijimit të diplomacisë shqiptare në kuptimin më të mirëfilltë e më të plotë të këtij termi: diplomaci nga trajta dhe shqiptare, domethënë atdhetare, nga brendia. Vajtja e tij në Romë si kalorës i thjeshtë është shembulli më simbolik i një diplomacie, e cila nuk mburret për diçka që nuk e ka – për pasurinë dhe luksin – dhe nuk turpërohet për atë që ka më të shenjtë e që është turp edhe sot për shumë prijës e burra shteti: thjeshtësinë e zotësisë. Ne edhe sot nuk kemi arritur – jo më për nga brendia por as për nga trajta – as te thembrat e diplomacisë së Skënderbeut.
E megjithatë në shoqërinë e sotme të biznesit, ku jo më vetëm tregtarët por edhe artistët – sikurse tha lirisht gjatë një programi televiziv një drejtues i njohur shfaqjesh – i përkasin fitimit dhe jo atdheut, në këtë shoqëri të gjoja lirisë së fjalës – në të vërtetë të lirisë së disave për të thënë gënjeshtra e shpifje dhe të detyrimit të të gjithë të tjerëve për t’i gëlltitur këto gënjeshtra dhe shpifje – edhe figura madhështore, e papërsëritshme, kombëtarisht dhe qytetarisht e shenjtë, e Skënderbeut është kthyer – gjë që pritej – në objekt sulmesh e karikaturizimesh. Nga të huajt, por me mbështetjen e shqiptarëve.
Disa të huaj, pasardhës të osmanëve, kërkojnë që ne sot ta rishikojmë rolin e Skënderbeut në histori dhe të mos e cilësojmë as si pushtim ardhjen e tyre, as si çlirimtare luftën e shqiptarëve nën Skënderbeun. Në gjuhën e historisë kjo quhet kërkesë për ikonëthyerje. Ndërkaq te ne – me ndonjë përjashtim të rrallë – ose heshtet, ose gjenden të tillë që tundin kokën me mirëkuptim për këtë kërkesë poshtëruese. Në këtë sfond natyrisht tingëllojnë si jashtë kohe vargjet: “Baheni rob të nierit t’huej,/ që nuk ka gjuhën as gjakun tuej”.

Dikush tjetër, nga Evropa e kryqtarëve – të cilët më 1204-ën u treguan edhe më barbarë se osmanët e vitit 1453 – vjen e na paraqet për zbulim e për shkencë të madhe hamendjen e tij lidhur me thelbin e veprimtarisë së Skënderbeut. Ky Oliver, që ndryshe nga heroi i Dikensit duket se e ka përvetësuar mjeshtërinë e hollë të Fexhinit, pretendon në dy intervista të tij të ditëve të fundit se: së pari, Skënderbeu nuk është ai që ne dimë dhe se qëndresa e tij ka qenë e shtyrë thjesht nga urrejtja vetjake; së dyti, ai, domethënë Oliver Shmiti, na dashka ne shqiptarët!

Cila është baza e historisë së Skënderbeut sipas Oliver Shmitit? Disa letra-raporte ambasadorësh të familjes princërore të Sforcave, të mbështetura në të thënat e një të dërguari të Skënderbeut, sipas të cilit Skënderbeu luftonte kundër osmanëve jo për motive fetare, por për urrejtje vetjake. Nisur prej këtij gjojafakti Oliver Shmiti ka hamendësuar pjesëmarrjen e Skënderbeut në vrasjen e hamendësuar të njërit prej djemve të Muratit II përpara se të kthehej në Shqipëri. Kështu thotë vetë Shmiti në intervistë.

Në dritën e mjaft ngjarjeve të kohëve të fundit nëpër botë kjo përpjekje për ripërvijimin e figurës së Skënderbeut do të duhej quajtur karikaturizim.
Ç’mjerim i historisë! Ca letra, ca thënie, ca hamendje! A thua se ato që shkruajnë ambasadorët – si në kohë të Skënderbeut ashtu edhe sot – janë të vërteta ose, që të shprehemi me gjuhën e historisë, janë dokumente.

Kush mund të thotë se letrat e ambasadorëve të Sforcave janë dokumente, domethënë pasqyrime të realitetit? Një kronist ndoshta po, por jo një historian. Dhe ndryshimi midis këtyre dy kategorive është i krahasueshëm me ndryshimin ndërmjet farmacistit dhe mjekut. Dihet se ku shkojnë njerëzit për të mësuar rreth gjendjes së tyre shëndetësore dhe mënyrës së shërimit.

Jo çdo gjë e shkruar është dokument. Dokument është e vërteta, jo gënjeshtra. Një gënjeshtër mbetet e tillë, edhe kur paraqitet me shkrim. Nëse në këtë rast ajo ka ndonjë vlerë, e ka vetëm si dëshmi e gënjeshtrës. Veçse që të dallosh gënjeshtrën duhet mendje. Duhet edhe dashuri për të vërtetën. Dhe duket qartë që Oliver Shmitit i mungojnë të dyja.

Por mbështetja në ca të shkruara të pavërtetuara dhe të pavërte-tueshme mund të ketë edhe një shpjegim tjetër: atij që ngre kështjella në erë mbi disa të shkruara, që ngjajnë për nga brendia me thashetheme (më saktë, intriga) ambasadorësh, i vjen për mbarë gënjeshtra, pasi kjo e fundit përputhet me synimin e tij për të shtrembëruar të vërtetën.

Kush mund të thotë se thëniet e pavërtetuara të të dërguarit të Skënderbeut janë pasqyrime të realitetit? Dhe kush mund të pohojë – edhe sikur të dilte se thëniet e të dërguarit të Skënderbeut janë të vërteta – se Skënderbeu e kishte dërguar këtë njeri për të thënë pikërisht ato gjëra dhe jo për të shpënë një mesazh tjetër? Skënderbeun jo pak herë e prenë në besë jo vetëm të huajt por edhe shqiptarët. E megjithatë ai arriti ta mbyllë jetën i pavrarë nga dora armike apo ajo tradhtare. Dhe kjo vetëm sa nxjerr më mirë në pah vlerat e tij të mëdha e të shumanshme si figurë historike, ashtu sikurse tregon fytyrën e vërtetë të mashtruesve, tradhtarëve dhe ngritësve të pusive.

E vërteta është se qëndresën e shqiptarëve nën Skënderbeun Roma dhe Venediku më së pari, por edhe faktorë të tjerë politikë me ndikim në jetën ndërkombëtare të asaj kohe, e kanë parë me ftohtësi, e kanë mbështetur dorështrënguar – atëherë kur e kanë mbështetur – dhe në thelb e kanë dëmtuar me mënyra nga më të ndryshmet. Letra të tilla si ato të ambasadorëve të Sforcave dëshmojnë pa mëdyshje se ata kanë qenë pjesë e një mekanizmi të stërmadh jo dashamirës, jo miqësor ndaj Skënderbeut. Skënderbeu nga ana e vet – ky burrë shteti, ushtarak dhe diplomat i shkëlqyer – e ka pasur më se të qartë këtë tablo të përgjithshme.

Ndërkaq, duket qartë që Oliver Shmiti nuk ka kurrfarë dijenie për botën diplomatike dhe për “mrekullitë” e keqinformimit dhe keqshërbimit që qarkullojnë brenda saj, ndonëse atij për të kuptuar historinë – së paku të Evropës së tij – do të duhej t’i mjaftonte edhe numri i jashtëzakonshëm i keqinformimeve, për të mos folur për keqinterpretimet, që qarkullojnë në botën e historisë së shkruar, veprimtar i së cilës ai mëton se është.

Duket qartë që Oliver Shmiti nuk arrin të shohë as realitetin ndërkombëtar të kohës kur jeton, të mbushur me mashtrime dhe pabesi nga më të papërfytyrueshmet, me asgjësime fizike në mënyra nga më të ndryshmet e më të stërholluarat jo më të njerëzish të thjeshtë por edhe udhëheqësish politikë.
Më tej: Kush mund të thotë se fjalët e pavërtetuara të një të dërguari dhe letrat e ambasadorëve rreth këtyre fjalëve kanë të tillë vlerë historike, sa mund të përmbysin gjithë vlerën historike, gjithë vlerën dokumentore – domethënë dëshmuese, vërtetuese – të vetë veprimtarisë së Skënderbeut: Dy Kuvende të Lezhës, beteja pothuaj të përvitshme e përgjithësisht të suksesshme, fitore kundër tre rrethimeve të Krujës, ndërtimi i një organizmi politik, të cilin mirë a keq, me hir a me pahir, me përçmim a me buzëqeshje cinike, qenë të detyruar ta përfillnin edhe Roma, edhe Venediku, edhe Napoli, pa llogaritur këtu Stambollin?
Dy shekuj e gjysmë më parë, Johan Volfgang Gëtja shprehjen e njohur ungjillore “në fillim ishte fjala” e përkthente kështu: “në fillim ishte veprimi”. Me sa duket Oliver Shmiti, kur merret me historinë e Skënderbeut, nuk e di një pohim të tillë, përderisa përmbys 25 vjet veprimtari reale për dy gishta letër diplomatësh. Me sa duket Oliver Shmiti njeh vetëm forcën e urrejtjes, jo atë të dashurisë.

Ç’mallra po importohen sot në Shqipëri! Si quhet me një fjalë të shëmtuar kjo lloj veprimtarie prej gjojahistoriani: spekulim? Vallë me spekulim dashkan ta zëvendësojnë historinë? Nuk është hera e parë! Dhe as e fundit. Për këtë lloj Evrope Fishta thoshte një fjalë…
* * *
Ndoshta shqiptarët bëjnë mirë që nuk i kushtojnë vëmendje këtyre Oliverëve. Tek e fundit një pjesë shumë e madhe e tyre kanë plot e plot halle të përditshme, për të cilat duhet të vrasin mendjen, kanë problemin e mbijetesës.

Por ku është shteti shqiptar, detyra e të cilit është të mbrojë integritetin e vendit në të gjitha fushat e ekzistencës së tij? Pse kaq temenara provinciale përpara Shmidëve dhe Lankshëve, të cilëve u hapen edhe dyert e sallave akademike, pa folur për faqet e shtypit dhe transmetimet televizive? Apo kështu e dashka integrimi, globalizmi: Shkatërro kulturën tënde duke kërkuar ndihmën edhe të kazmave të huaja? Apo këto temenara nuk janë veçse rrjedhojë logjike e servilizmit të neveritshëm që shfaqet ndaj një kategorie të caktuar ambasadorësh të huaj, të cilëve u jepet kryet e vendit në çdo mbledhje, konferencë etj. etj., për çdo tematikë këto qofshin, deri edhe për bujqësinë a çështjet e seksit?

Ku janë institucionet e specializuara për studimin e historisë së vendit? Vallë përse e marrin pjesën e buxhetit të shtetit, domethënë të të ardhurave të qytetarëve shqiptarë, nëse nuk i kundërvihen në mënyrë sistematike zhvlerësimit – në thelb, rrënimit – të kulturës dhe historisë sonë?
Dhe ku janë historianët tanë, kur vërejnë se si praktikisht hidhet poshtë veprimtaria shkencore e A. Budës, K. Frashërit dhe një vargu studiuesish të tjerë? Apo mos vallë miqësimi dhe bashkëpunimi me të ashtuquajturit albanologë të huaj është më i rëndësishëm se detyra e mbrojtjes parimore, pa asnjë lëshim, të kulturës dhe historisë amtare?

Ç’punë të bukura në njëqindvjetorin e pavarësisë! Një tablo vërtet e shkëlqyer! “O moj Shqypni, e mjera Shqypni,/ kush të ka qitë me krye n’hi?”. (B.W)