Shkup, Manastir – Myftiu i myftinisë së Manastirit Pëllumb Veliu, ka akuzuar rëndë Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dhe drejtorin e Qendrës për konservim, Behixhudin Shehapi, se “Jeni Xhaminë” në Manastir, dëshirojnë ta shndërrojnë në kishë. Ai po ashtu flet edhe për rrezikun e humbjes së objektit të Muzeut të Alfabetit të gjuhës Shqipe në Manastir.
Sipas Veliut, BDI përmes programit të saj zgjedhor, që është gjithashtu pjesë e programit të Ministrisë së Kulturës për vitin 2011, dëshiron që Jeni Xhaminë ta shndërrojë në kishë me emrin Shën Gjorgjia. Kjo gjë sipas Veliut pritet të ndodh, me restaurimin e Jeni Xhamisë, që vjen si propozim i drejtorit të Qendrës për konservim, Behixhudin Shehapi, ndryshe kandidat për deputetë i BDI-së.
“Pra faktikisht ky person dhe kjo ministri, deri sa dje akuzonin njerëzit vandal që bëjnë dëme nëpër xhami, dëmtojnë kulturën islame dhe shqiptare në Manastir, ky person nëpërmjet të Ministrisë së tij, faktikisht nëpërmjet funksionit që ia kanë dhënë duke mos kujtuar se çfarë njeriu ia jep këtë pozicion, zyrtarizon ndërrimin e emrit të xhamisë prej Jeni Xhami në Sveti Gjorgji, në kishë. Pra, është një xhami në të cilën BFI që nga viti 2003 nuk ka kurrfarë qasje në të”, është shprehur myftiu i Manastirit, i cili akuzon drejtpërdrejt BDI-në dhe drejtorin e Qendrës për Konzervim, Behixhudin Shehapi, aktualisht kandidat për deputet i BDI-së.
Për Veliun është absurde si ka mundësi që BDI të japë me qira objektin e shenjtë të Alfabetit Shqip në Manastir.
Akuzat e rënda të Veliut, drejtori i Qendrës për konservim, Behixhudin Shehapi, i quan si të pa baza dhe tendencioze.
“Nuk është aspak e vërtetë se BDI, apo drejtoria të cilën e udhëheq, kanë për qëllim që këtë xhami ta shndërrojnë në kishë, por këto akuza janë tendencioze dhe të pabaza, sepse BDI në programin e saj ka paraparë që të gjitha objektet fetare e kulturore të shqiptarëve t’ua kthejë autentitetin e tyre. si objekte kulminante”, pohon Shehapi.
Por, Pëllumb Veliu, po ashtu, ka akuzuar BDI-në, edhe për rivitalizimin e Isak Xhamisë, e cila nënvizohet edhe në programin për zgjedhjet parlamentare, ku e kanë vendosur edhe projektin ideor për revitalizimin e Isak Xhamisë.
Sipas tij, ky projekt është i Myftinisë së Manastirit dhe financohet drejtpërdrejt nga kryetari i Turqisë, Abdullah Gjyl.
Kohë më pare, Pëllumb Veliu dhe Behixhudin Shehapi kishin debat të ashpër në opinion për këto dhe çështje të tjera.
Saturday, 28 May 2011 14:34