Tiranë – Konkurrimi vetëm me të dhëna teknike, jo me ofertë më të lartë financiare. Zbardhen dokumentet e tenderit, qeveria pranon çdo ofertë.
Qeveria ka vendosur që licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare ta japë pa pasur si kriter parësor maksimizimin e të ardhurave. Ajo vetë, në kushtet e përcaktuara në një vendim të miratuar në fillim të këtij viti, nuk ka dhënë asnjë lloj dyshemeje nga ku duhet të fillojnë ofertat. Pra, ofertuesit nëse do të duan, mund ta nisin ankandin nga vlera 1 lek. Kjo mënyrë procedimi ka lënë vend për aludime se gjithçka është bërë qëllimisht dhe kompani të interesuara për të qenë pjesë e garës kanë shprehur rezerva.
Portali publikon letrën që CEO i kompanisë greke INTRALOT i ka dërguar Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku theksohet se mosvendosja e një çmimi nga ku duhet të fillojë ankandi nuk nxit konkurrencën. “Unë ju siguroj se nëse ministri juaj përfshin çmimin në kriteret e dhënies së licencës, ju do të surprizoheni me kënaqësi, me faktin se sa shumë kjo tarifë e propozuar do të kapërcejë shumën e fiksuar që ju po kërkoni tani”, theksonte Constantinos Antonopoulos.
Në vendim ku përcaktohen kriteret e vlerësimit të garës, dokumenteve standarde dhe strukturës së komisionit të vlerësimit të aplikimeve për dhënien e licencës, është përcaktuar me detaj çdo e dhënë me përjashtim të vendosjes së një çmimi dysheme. Qeveria kërkon sipas kushteve një kompani që të ketë pasur një xhiro 500 milionë euro të vlerës së licencës në tri vitet e fundit si kusht financiar, kurse për sa u përket kushteve teknike, eksperienca e kompanisë duhet të shkojë deri në 15 vjet. Disponimi i certifikatave të nevojshme është gjithashtu një kriter që vendimi e përcakton si të një niveli të rëndësishëm. Vlerësimi i ofertave është një kombinim më vete, pasi 15 për qind do të vlejë struktura e aplikantit dhe gjendja financiare, 35 për qind të pikëve do të ketë peshë përputhja me politikat rregullatore, kurse plani i biznesit dhe parashikimet financiare kanë 25 për qind të vlerësimit total dhe po kaq ka edhe strategjia e zhvillimit të tregut. I vetmi përcaktim çmimi që bëhet në vendimin që qeveria ka miratuar për Lotarinë Kombëtare, është një vlerë 500 milionë lekë që kompania që shpallet fituese duhet ta depozitojë në bankë për llogari të buxhetit.
“Aplikanti i përzgjedhur fitues në garën për marrjen e licencës për Lotarinë Kombëtare paguan, në njërën nga bankat e nivelit të dytë, shumën prej 500.000.000 (pesëqind milionë) lekë, jo më vonë se 14 ditë kalendarike nga marrja e licencës, por në çdo rast para dërgimit të licencës për miratim në Kuvend. Kjo shumë kalon në buxhetin e shtetit”, thuhet në vendim. Pra, edhe nëse qeveria në një moment të dytë këtij përcaktimi do t’i referohet si çmim dysheme, sërish kjo vlerë mbetet jashtëzakonisht e ulët për të qenë e tillë, kur në fakt një licencë 3G qeveria e shiti 31.4 milionë euro dhe çmimin minimal për pjesëmarrje në garë e kishte 12.5 milionë euro.
Intralot
Athinë, 15 qershor 2012
Drejtuar ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë,
Z. Ritvan Bode
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, prof.dr.Sali Berisha
a) Kërkesë për aplikimet për çmimin e licencës së Lotarisë Kombëtare të Shqipërisë, lëshuar më datë 21/05/2012
b) Ftesë për aplikimet. Lëshuar më datë 18 maj 2012
Shkëlqesia juaj
Pas hapjes së konkurrimit “për marrjen e licencës për organizmin e Lotarisë Kombëtare”, dëshiroj t’ju drejtohem ju me qëllim për t’ju shprehur shqetësimin tim të thellë për mbarëvajtjen e procesit të dhënies së licencës, pasi ai nuk siguron konkurrim të vërtetë dhe është ndërtuar në një mënyrë që do të rezultojë me të ardhura konsiderueshëm të ulëta për shtetin shqiptar dhe shoqërinë shqiptare.
Për këtë arsye, unë dua të theksoj se procesi aktual po limiton konkurrencën pa arsye, duke futur kritere kualifikimi që janë unike në të gjithë botën, në një mënyrë të tillë që përjashton të gjitha kompanitë e afta dhe me eksperiencë në këtë industri, përfshirë INTRALOT, duke mos mbrojtur interesat themelore të qeverisë suaj për një veprimtari të qëndrueshme dhe të përgjegjshme sociale të Lotarisë në Shqipëri. Çështja kryesore ka të bëjë me kriteret e kualifikimit në të cilat kërkohen dy certifikata shumë specifike të fushës (WLA-Niveli 4 i përgjegjshmërisë së lojës dhe WLA-Standarde të kontrollit të sigurisë mbi tre vjet), të cilat, të kombinuara, mund të përmbushen vetëm nga një numër ekstremisht i limituar kompanish. Vlen për t’u theksuar se disa nga këto entitete janë organizata të kontrolluara nga shteti me përgjegjësi strikte fiskale dhe, ose nuk i përmbushin kriteret financiare të paraqitura të sektorit privat, ose, në shumicën e rasteve, ndjekin mundësitë që janë jashtë mandatit të tyre. Për më tepër, ata pak kandidatë potencialisht të kualifikuar që ne kemi identifikuar, nuk kanë ndonjë eksperiencë në zbatimin e Lotarisë jashtë vendit ku banojnë.
Për më tepër, dhe për çudinë tonë të madhe, ne kuptuam se kriteret e vlerësimit dhe dhënies së licencës nuk përfshijnë tarifën e saj apo ndonjë element çmimi, çfarëdo qoftë ai, por në vend të kësaj, tarifa është vendosur në një nivel të ulët pa arsye për një aset të tillë premtues, siç është provuar në dhënie licencash të ngjashme nëpër botë. Në kontekstin e kufizimeve të ashpra të buxhetit dhe vështirësive ekonomike në shumë vende europiane, sigurimi dhe akordimi efikas i fondeve publike është një shqetësim i veçantë dhe unë jam i sigurt se qeveria juaj është në linjë me realitetin. Sugjerimi i fortë i Kryeministrit, se paratë e siguruara nga dhënia e licencës duhet të përdoren në mbështetje të sporteve, talenteve të reja dhe për pacientët e neoplazmës, i shtohet besimit tonë se ju vërtet inkurajoni rritjen e kontributeve sociale nga asetet publike. Për këtë qëllim, unë ju siguroj se nëse ministri juaj përfshin çmimin në kriteret e dhënies së licencës, ju do të surprizoheni me kënaqësi, me faktin se sa shumë kjo tarifë e propozuar do ta kapërcejë shumën e fiksuar që ju po kërkoni tani.
Kam besim se INTRALOT, operatori lider dhe tregtues i teknologjisë në lotaritë e sistemuara nga qeveria dhe në sektorin e lojërave prej më shumë se 20 vjetësh, me prani në më shumë se 50 vende në të 5 kontinentet, është më i afti dhe i mirë-kualifikuari për të zbatuar një projekt të këtyre përmasave dhe qëllimeve. Për më tepër ne jemi të angazhuar të investojmë kryesisht në zhvillimin e një veprimtarie të qëndrueshme dhe me teknologji të avancuar. Jam i sigurt se kujdesi e mirësia juaj dhe konsiderata e mendimit për këto çështje, mund ta çojë konkurrencën drejt një procesi të hapur, transparent dhe vërtet konkurrent, që janë në linjë me garancitë e siguruara për ju nga Shkëlqesia e tij Kryeministri pas takimit tonë, në maj 2010.
Në përpjekje për të evituar një proces të fragmentarizuar me një numër ekstremisht të limituar ofruesish pa ndonjë eksperiencë të dukshme ndërkombëtare mbi çështjen-subjekt, që do të rezultonte me një humbje të madhe të ardhurash për qeverinë shqiptare, unë me mirësi ju sugjeroj të shtyni procesin e Kërkesave për Aplikime dhe të rikonsideroni kualifikimin specifik dhe kriteret e vlerësimit të bazuara në fakte të një industrie solide, të mbledhura nëpërmjet një procesi konsultimi të hapur publik. Unë mund t’ju siguroj me të gjithë mënyrat se një iniciativë e tillë do të rezultojë me përzgjedhjen e partnerit më të aftë, duke maksimalizuar të ardhurat e qeverisë dhe duke mbrojtur integritetin e dhënies së licencës përkundër pretendimeve dhe interpretimeve. Duke u mbështetur në përpjekjet e deklaruara dhe të provuara të qeverisë suaj për sigurimin e kontributeve domethënëse për shtetin shqiptar nga asetet publike dhe krijimin e benefiteve për shoqërinë, ne kemi besim se ju do të veproni sipas një procesi të drejtë dhe transparent, si dhe shtimit të të ardhurave të licencës së Lotarisë. (LajmeShqip.com)
Me nderime
Constantinos Antonopoulos
CEO
Tuesday, 19 June 2012 13:29 