Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 16:52

Prishtinë – Misioni EULEX ka bërë të ditur se ka nosur një aksion për bastisjen e personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në aferën e 1.4 milionëve, apo skandalin e Pasapotave Biometrike.

Si rezultat i një urdhri të gjykatës për bastisje të pronave të banimit dhe të zyrave të nëntë të pandehurve në lidhje me rastin e pasaportave, në mëngjesin e ditës së djeshme, Policia e Kosovës dhe Policia e EULEX-it zhvilluan një operacion të përbashkët të bastisjes.

“Bastisja është urdhëruar si pjesë e hetimit lidhur me vjedhjen e 1.4 milion eurove e cila ka ndodhur në kuadër të një kontrate për pasaporta biometrike në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Hetimi ekzistues është zgjeruar në mënyrë që të përfshijë akuza të reja dhe shtatë të pandehur të rinj”, thuhet në njoftimin e EULEX.

Si rezultat i informatave të reja të mbledhura gjatë hetimit, të pandehurit janë duke u hetuar në lidhje me veprën penale Krim i Organizuar në shkelje të nenit 274 KPK, Pastrim Parash në shkelje të nenit 32, Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe të Financimit Terrorist 2010, Pranim i Mallrave të Vjedhura në shkelje të nenit 272 KPK dhe Evazion Fiskal në kundërshtim me nenin 63 (1) dhe (2) të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Rastin është duke u hetuar një ekip i përzier i prokurorëve të EULEX-it dhe të Kosovës.