Grupi amerikan SIVA Partners do të investojë rreth 2 miliardë dollarë në fushën e turizmit dhe argëtimit në Shqipëri.
Ky fakt u konfirmua nga përfaqësuesi i këtij grupi, Simon Elyakim gjatë takimit të zhvilluar me Kryeministrin Sali Berisha. Projekti “The Millennium Casino & Resort” konsiston në ndërtimin e një resorti turistik me vila dhe hotele, fusha tenisi, golfi dhe kazino.
Sipas Elyakim, ky investim është rezultat i klimës tërheqëse të biznesit në Shqipëri, i gjeografisë së saj dhe klimës shumë tërheqëse për turistët.
Elyakim i prezantoi Kryeministrit Berisha portofolin e interesave të Grupit për investime në Shqipëri në fushat e infrastrukturës, në rrugë, hekurudha, ku përfshihet edhe hekurudha Shqipëri–Kosovë, si dhe vepra të tjera, përfshirë edhe privatizimin e Albpetrol.
Sipas Elyakim, pas një sërë studimesh në rajon, Grupi kishte përzgjedhur Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm për investime. Një iniciativë tjetër që iu prezantua kryeministrit ishte edhe Klubi i Biznesit francezo-shqiptar, që është edhe guri i themelit të Dhomës së ardhshme të Tregtisë ndërmjet dy vendeve.
Kjo nismë iu prezantua kryeministrit nga kryetari i Klubit të Biznesit francezo-shqiptar, Julien Roche dhe Drejtori Ekzekutiv i Bankës “Societe General” në Shqipëri, Hubert de Saint Jean.
Roche dhe de Saint Jean theksuan se, krijimi i këtij Klubi është produkt i interesit të madh të biznesit francez ndaj Shqipërisë.
Në këtë organizatë janë anëtarësuar shumë biznese që po fillojnë studime dhe projekte investimi në Shqipëri, si një vend me potenciale të mëdha zhvillimi dhe stabilitet ekonomik e klimë shumë të favorshme biznesi.
Friday, 20 January 2012 17:30