Lajme Shqip Monday, 10 October 2011 18:53

Prishtinë – Nën drejtimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur sot mbledhja e rregullt e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilën u shqyrtua situata e sigurisë në vend.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit kryesues i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se situata në vend kryesisht është e qetë dhe stabile, me përjashtim të veriut të Kosovës, ku situata po karakterizohet me tensione politike, të manifestuara me barrikada, të vendosura nga strukturat kriminale, që po pengojnë lëvizjen e lirë, si dhe, herë pas here, me incidente të armatosura.

Megjithatë, Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerësoi inkurajues faktin që pjesa më e madhe e komunitetit serb nuk është duke i mbështetur këto veprime antiligjore dhe vlerëson lartë maturinë dhe pjekurinë politike të qytetarëve shqiptarë, të cilët për asnjë moment nuk u bënë pre e provokimeve të grupeve kriminale serbe në veri.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës në mbledhje diskutoi edhe për proceset politike në vend dhe rajon. Bisedimet teknike që po mbahen me Serbinë dhe që po udhëhiqen nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, KSK i vlerësoi si një detyrim që del nga marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare dhe si një proces që ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dy shteteve.

Në ndërkohë, qëndrimi i Serbisë ndaj këtij procesi u vlerësua si destruktiv dhe tendencë për të sabotuar proceset demokratike në rajon dhe më gjërë.

Në takim, kryeministri Thaçi falendëroi institucionet e sigurisë për punën e tyre profesionale, po ashtu edhe institucionet ndërkombëtare, KFOR-in dhe EULEX-in për bashkëpunimin shumë kontruktiv për të shtrirë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në tërë hapësirën e Republikës së Kosovës.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe Strategjinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës, të cilës iu dha drita jeshile që të dërgohet në Qeveri për miratim. (LajmeSqhip.com)