Një automjet privat, i tipit “Renault 19”, ngjyrë e bardhë, pa targa të regjistrimit, besohet se është djegur si rezultat i zjarrvënies së qëllimshme me një lëndë ndezëse. 
Rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm, në fshatin Mekinicë të Leposaviçit, afër shtëpisë së ankuesit, përkatësisht në rrugën e asfaltuar e cila lidhë fshatrat Dren dhe Bello Bërdo, të Leposaviçit.
Njësitë policore të cilat kanë reaguar në vend ngjarje kanë konstatuar se persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjetit me ndihmë të lëndës ndezëse, që besohet të jetë derivat i naftës, benzinë.
Dëme materiale janë shkaktuar në pjesën e parme të automjetit ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.
Hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës të cilët kanë bërë këqyrjen dhe mbledhjen e provave materiale nga vendi i ngjarjes, kanë vlerësuar se i/të dyshuarit, paraprakisht kanë derdhur një sasi të benzinës mbi kofanon e automjetit e më pas i kanë vënë zjarrin.
Një bidon i plastikës që kundërmonte në erë benzine, është gjetur pranë automjetit të djegur ndërsa besohet se ishte përdorur nga kryesi/t e aktit kriminal.
Një automjet tjetër i tipit “Renault Megan” pa targa të regjistrimit, i cili ishte i parkuar fare pranë automjetit të dëmtuar, besohet të kishte qenë cak i dëmtimit gjithashtu, kështu pasi hetuesit policor kanë vërejtur se edhe automjetit të dytë i ishte derdhur një sasi e benzinës sipër kofanos së automjetit, porse nuk i ishte vënë zjarri.
Zyrtarët policor kanë kontaktuar viktimën e këtij rasti, një 20 vjeçar, të përkatësisë etnike serbe, i cili është intervistuar nga policia.
Policia e Kosovës ka regjistruar rastin si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ndërsa autorët e këtij akti kriminal mbeten të panjohur deri në këtë moment.
Një rast i ngjashëm i vënies së zjarrit në automjet, është regjistruar edhe në rrugën “Kolashini” në veri të Mitrovicës, ditën e martë, 17 janar, rreth orës 01:30, min.
Automjeti “Golf 2” ngjyrë e kuqe, pa targa të regjistrimit është përfshirë në flakë ndërsa njësitë e zjarrfikësve kanë reaguar në shuarjen dhe përhapjen e mëtejmë të zjarrit.
Hetuesit policor të cilët kanë iniciuar hetimet për vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” kanë kontaktuar viktimën e rastit i cili vlerësoi se dëmi i shkaktuar në veturën e tij, arrin shumën prej 1500 euro ndërsa nuk kishte asnjë bazë të dyshimit mbi persona të dyshuar si kryes të mundshëm të këtij akti kriminal. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 17:50