Lajme Shqip Saturday, 31 December 2011 15:00

Tiranë – Ministri i  Shëndetësisë, Petrit Vasili ka garantuar pak ditë më parë qytetarët se Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat që sistemi shëndetësor të jetë në gatishmëri të plotë për festat fundvitit.  “Shërbimi ka marrë urdhër të prerë të ketë një gatishmëri të përforcuar, nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, deri në spitalet rajonale”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë një konference për shtyp dy ditë më parë.

Shërbimet, sipas tij, do të jenë të përforcuara me personel, të dubluara për të siguruar efiçencën e plotë, ndërsa të gjitha farmacitë e qendrave të urgjencës kanë rifreskuar rezervat për të pasur në dispozicion të gjithë rezervat medikamentoze të domosdoshme.

Ndërkohë, në kuadër të masave që janë marrë për natën e ndërrimit të viteve,  Vasili tha se ka pasur një riverifikim të aparaturave që japin ndihmën e parë në mënyrë që funksionimi i tyre të jetë tërësisht i plotë dhe njëkohësisht ndjekje të vazhdueshme nga ana e drejtuesve kryesorë dhe me patronazhin e gjithë gatishmërinë deri në ditën e kalimit të festave.

Vasili u ka kërkuar qytetarëve përkujdesje gjatë festave të fundvitit, sidomos të sëmurët kronikë, të moshuarit, por edhe të rinjtë që qëndrojnë në orët e vona të natës duke festuar me fishekzjarre. “Vetë qytetarët të kenë përkujdesjet e tyre. Të sëmurët kronikë, që vuajnë nga sëmundje kronike të njohura si sëmundje të zemrës, diabetit, etj, është vendi për të tërhequr vëmendjen që festat të mos jenë moment i shkujdesjes së tyre ndaj shëndetit të tyre”, tha Vasili.

Një përkujdesje e veçantë shkon për të moshuarit, për marrjen e barnave, apo frenimi para shtysës për të tepruar me pijen dhe ushqimin, si dhe shmangia e daljeve në temperatura të ulëta.

Nisur nga përvoja e viteve të kaluara, përkujdesje duhet të tregojnë edhe të rinjtë, në mënyrë të veçantë ndaj përdorimit të fishekzjarreve, por dhe mjeteve të tjera, pasi disa nga ngjarjet e pakëndshme që mund të ndodhin si pasojë e përdorimit të tyre pa kujdes, mund të sjellin trauma dhe lëndime që mund të jenë dhe të pariparueshme.