Tiranë – Sistemi bankar në vend ka zhvilluar kreditim të ekuilibruar. Studimi i publikuar së fundi nga departamenti i kërkimeve të Bankës së Shqipërisë, bën të ditur se “kreditimi në Shqipëri i është afruar nivelit të ekuilibrit të kreditimit, bazuar në vlerësimet e nivelit ekuilibër të kreditimit për vendet në zhvillim dhe të zhvilluara”.
“Metodat statistikore sugjerojnë që kreditimi në Shqipëri, pavarësisht ritmeve të larta të tij, veçanërisht pas vitit 2004, ka përjetuar situata bumi. E gjithë kjo e ashtuquajtur “uri” e huamarrësve për të marrë fonde dhe e bankave për të dhënë kredi, ka ardhur si rezultat i mungesës së mundësive të mëparshme të huamarrësve për të investuar dhe për të gjeneruar fitime të konsiderueshme”, theksohet në studim.
Studimi përfshin periudhën kohore të 10 viteve të fundit dhe është nxitur nga sjellja jo e qëndrueshme që ka shfaqur kreditimi i ekonomisë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Me interes është për t’u kuptuar nëse kjo sjellje ka qenë në përputhje me faktorët përcaktues makroekonomikë apo nëse ajo është një devijim nga ekuilibri afatgjatë.
– Të marrësh kredi, është shumë e vështirë
Aktualisht në rrafshin praktik kreditimi paraqet vështirësi. Kërkon të marrësh një kredi konsumatore, apo për të çelur një biznes? Edhe për të paktën dy muajt e ardhshëm do ta kesh gati të pamundur. Jo vetëm që bankat tregtare kanë shtrënguar kriteret, por e konfirmojnë vetë se të paktën edhe për dy muajt e ardhshëm nuk do të mund të çlirohet kreditimi në vend.
Në bankat e nivelit të dytë në kryeqytet, specialistët e kredisë shprehen se të marrësh një kredi është vështirësuar shumë, pavarësisht stimujve të herëpashershëm të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit. Sipas specialistëve të kredisë, kredia më e lehtë për t’u marrë është ajo që ata e konsiderojnë kredia e të pasurve me garancinë depozitë. Kjo do të thotë që, në qoftë se ke një depozitë në një shumë të caktuar, mund të aplikosh për një kredi dhe mund ta përfitosh brenda dy ditësh.
Por edhe sipas vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për tre muajt e fundit të vitit 2011, marrja e kredisë ka qenë më e vështirë për bizneset, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në këtë mënyrë, kreditimi ka shkuar në kah të kundërt me politikat monetare të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë. Që nga fundi i 2011-ës ajo e ka ulur normën bazë të interesit 4 herë për të nxitur likuiditetin në treg dhe kreditimin.
Tuesday, 21 February 2012 19:00