Lajme Shqip Tuesday, 03 January 2012 10:30

Tiranë – Sektori bankar arriti të mbyllë me sukses vitin 2011. Roli i tij në mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit ishte i një rëndësie të veçantë, ndërkohë që nga ana tjetër kujdes i madh është bërë për të garantuar shëndetin financiar të tij. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, në takimin përmbyllës të vitit 2011 me shoqatën e bankave ju bëri thirrje bankave për të shfrytëzuar fleksibilitetin që ka shfaqur ekonomia shqiptare ndaj krizës. Guvernatori paralajmëroi se mjedisi ekonomik edhe gjatë vitit të ardhshëm do të jetë sfidues, ndaj bankat duhet të përsosin aftësitë e tyre për të testuar qëndrueshmërinë ndaj skenarëve të rrezikut.

11 Janar – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore, znj. Ngozi Okonjo-Iweala, gjatë një takimi në ambientet e Bankës së Shqipërisë, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy institucioneve si dhe inkurajuan forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

5 Shkurt – Raiffeisen Bank International AG (RBI) përfundon një marrëveshje për blerjen e 70 për qind të aksioneve të Polbank EFG (Polbank) në Poloni.

9 Mars – Banka e Shqipërisë ka zbardhur detajet e vendimit për uljen e tarifave të pagesave. Sipas këtij vendimi, bankave tregtare ju ulen tarifat e përdorimit të sistemeve elektronike, sistemi ndërbankar i pagesave me vlerë të mëdha, ose AIPS dhe sistemi i klerimit të pagesave me vlerë të vogël, ose AECH.

21 Mars- Banka e Shqipërisë tërheq nga qarkullimi kartëmonedhën prerje 1000 Lekë, emetim i vitit 1992, 1994, 1995, 1996 (imazhi i Skënderbeut).

23 Mars – Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.25 % normën bazë të interesit për kredinë në lekë duke e çuar atë në nivelin 5.25%”.

12 Prill – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, tha në Konferencën e 24-të vjetore të Grupit Mbikëqyrës të Bankave të Evropës Qendrore dhe Lindore, që zhvilloi punimet për herë të parë në Tiranë se “Ekonomia Shqiptare konfirmon stabilitet, ndërkohë po reflekton shenja pozitive të rritjes për tregues të ndryshëm ekonomik”.

27 Prill- Këshilli mbikëqyrës i Bankës se Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në masën 5.25%.

11 Maj- Banka e Shqipërisë ka miratuar dy udhëzime për mënyrën se si bankat e nivelit të dytë do të sigurojnë depozitat e qytetarëve shqiptarë, apo marrëdhëniet që Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të ketë me bankat e siguruara. Këto rregulla do të jenë të vlefshme jo vetëm për bankat, por edhe degët e bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri.

19 Qershor- Bordi i Guvernatorëve të Bankës së Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BSTDB) organizuan takimin e 13-të vjetor të tij në Tiranë nën kryesinë e Nezir Haldeda, guvernatorit të BSTDB për Shqipërinë dhe zv/ministër i Financave në Shqipëri.Bordi miratoi pasqyrat financiare të bankës për vitin 2010.

24 Qershor -Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) zhvillon konferencën vjetore të tij në Shqipëri. Në këtë konferencë ishin të pranishëm drejtues të lartë të qeverisë shqiptare, të institucioneve financiare ndërkombëtare si dhe përfaqësues nga sistemi bankar. Në panelin e hapjes së konferencës Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, mbajti fjalën e rastit.

12 Shtator – Banka e Shqipërisë organizon konferencën e 9-të Ndërkombëtare me temë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”. Kjo konferencë zhvillohet në bashkëpunim me Bankën e Italisë, në kuadër të projektit të binjakëzimit, mes dy bankave qendrore.

13 Shtator – Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit bërë të mundur botimin e një libri për edukimin financiar të gjimnazistëve, i cili pritet të prezantohet në vitin mësimor 2011-2012.

13 Shtator – Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, Zhou Xiaochuan, zhvilloi në Tiranë një vizitë pranë Bankës së Shqipërisë, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Gjatë takimit, dypalësh diskutimet u fokusuan në zhvillimet ekonomike, ku Guvernatori Fullani e njohu Guvernatorin Zhou me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht me atë të sistemit bankar.

29 Shtator – Banka e Shqiperisë uli normën bazë të interesit për lekun me 0.25 për qind, duke e lënë atë në nivelin më të ulët historik prej 5 për qind.

31 Tetor -Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) bëri të ditur të hënën se nxori në treg numrin e parë të revistës “Bankieri”, organ zyrtar i Shoqatës.

1 Nëntor- Ndryshimet ligjore të propozuara nga Ministria e Financave rrisin së tepërmi rolin e Bankës së Shqipërisë në kontrollin e sistemit bankar. Në çdo rast falimentimi, Banka e Shqipërisë mund të ngrejë, me vendim të saj, një bankë tjetër, të quajtur “bankë urë”. Kjo e fundit do të merret me administrimin e pjesës së shëndetshme të bankës që është duke falimentuar.

17 Nëntor.- Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot dekretin e Presidentit të Republikës, që propozon Ardian Fullanin për një mandat të dytë në postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Me 71 votat e deputetëve të shumicës, 51 vota kundër të deputetëve opozitarë dhe 1 abstenim, kandidatura e propozuar nga Kreu i shtetit u miratua nga Kuvendi për të drejtuar këtë institucion të rëndësishëm financiar edhe për një mandat 7-vjeçar.

30 Nëntor – Këshilli Mbikqyrës i BSH-së vendosi të ulë me 0.25% normën bazë të interesit për lekun, duke e cuar ate ne nivelin 4,75% .

1 Dhjetor -Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi të mërkurën mbledhjen e parë me pjesëmarrjen e anëtarëve të rinj, të mandatuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ardian Fullani u rizgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe Guvernator për një mandat të dytë 7-vjeçar. Zoti Fullani e ka nisur punën në Bankën e Shqipërisë në vitin 1992, fillimisht si zëvendësguvernator dhe një vit më vonë si drejtor i departamentit të jashtëm. Në vitin 1997 zhvendoset në bankingun tregtar, te Banka Italo-Shqiptare, ku shërbeu fillimisht si zëvendësdrejtor dhe duke filluar nga viti 2000, si drejtor i përgjithshëm. Këtë detyrë e mbajti deri në vitin 2004, kur u zgjodh Guvernator i Bankës Qendrore.

28 Dhjetor -Këshilli Mbikqyrës i BSH-së vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 4.75%, në përputhje me përmbushjen e objektivit për inflacionin, duke mundësuar kushte monetare të përshtatshme për zhvillimet e aktivitetit ekonomik në vend. Fullani, deklaroi se gjatë tremujorit të fundit të këtij viti ekonomia shqiptare ka shënuar rritje pozitive, por mbetet nën potencialet e saj.