Prishtinë – Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun Sinno, tha sot se për veriun “ne nuk po planifikojmë të bëjmë ndonjë plan të ri, si p.sh. ‘Ahtisari plus’ por duhet të zbatojmë atë
që e kemi”.
“Ne duhet të shikojmë se çfarë mund të bëjmë në fushën ekonomike dhe sociale, mirëpo është vështirë ta gjejmë mënyrën se si të dialogohet me njerëz dhe si ta përçojmë mesazhin tek njerëzit. Nuk kemi ndonjë master plan për këtë”, tha ai.
“Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar, madje edhe EULEX-i është i pranishëm në Veri bashkarisht më zyrën ndërlidhëse të KE-së. Ne kemi një numër të projekteve, shumica e të cilave është dashur të ndërpriten për shkak të situatës atje”, citohet Sinno në njoftimin e Zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit të Kosovës.
Bëhet e ditur se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë , Khaldoun Sinno, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, për të diskutuar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Anëtarët e Komsionit, sipas njoftimit, “duke folur për çështjen e Veriut theksuan se gjendja në këtë pjesë të vendit nuk është marrë seriozisht nga qarqet ndërkombëtare”.
Tuesday, 18 October 2011 21:12