Prishtinë-Sindikata e Punëtorëve të Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës nëpërmjet një kumtese shtypi ka hedhur kritika ndaj udhëheqësve të këtij institucioni si dhe ndaj autoriteve qeveritare në Kosovë.
Punëtorët i kanë kërkuar drejtuesve të Bashkësisë Islame të reagojnë ndaj interpretimeve të gabueshme të fesë islame.
Bashkësia Islame, sipas punëtorëve, duhet të reagojë në rastet kur një individ publikisht qoftë në xhami, video, facebook ose kudo tjetër thotë se në emër te fesë kjo çështje apo ajo është “halal” apo “haram”, pa pasur mbështetje të mirëfillt shkencore dhe burimore.
Nëse BIK’u në këso rastesh nuk deklarohet atëherë sipas punëtorëve mund të vijë deri tek përçarjet mes njerëzve.
“….fitnet-përçarjet do të rriten përditë e më shumë, të cilat nuk do të jenë në të mirë të vet besimtarëve islam, por as në interes të qetësisë dhe rehatisë religjioze të vendit dhe kombit tonë”, thuhet në këtë kumtesë për media të punëtorëve të Bashkësisë Islame.
Po ashtu sindikalistët kanë kërkuar nga autoritetet shtetërore që të fusë nën ombrellë institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Punëtorët thonë se Bashkësia Islame si institucioni më i madh fetar në vend, vazhdon të veprojë pa një pozitë dhe kornizë të qartë juridike në kuadër të institucioneve vendore.
“Në BIK-së punojnë diku rreth (nëntëqind) 900 veta, në mesin e të cilëve bëjnë pjesë imamë, profesorë, punëtorë administrativ si dhe punonjës teknik, mirëpo, me përjashtim të mësimdhënësve në Medresenë “Alaud-din”, të cilët paguhen nga ministria e Arsimit, të tjerët asnjëri prej tyre nuk janë pjesë e sigurimit pensional gjegjësisht trustit, për shkak të vakumit institucional e ligjor, i cili po i mungon BIK-së”, thuhet në këtë kumtesë shtypi.
Punëtorët thonë se Kushtetuta dhe rregulloret e BIK’ut nuk ka ndryshuar që nga viti 1990 kur u aprovuan në Sarajeve ku ishte selia e atëhershme qendrore e Bashkësisë Islame për ish-Jugosllavi.
“Si rezultat i kësaj mungese ligjore, ky institucion i rëndësishëm fetar në vendin tonë, edhe më tutje po vazhdon punën me diktatin klasik, të një sistemi “sallamadi”, të pa kontrolluar nga askush dhe duke mos dhënë llogari askujt”, thuhet në këtë kumtesë shtypi.
Ky vakuum ligjor sipas punëtorëve ka ardhur si pasojë e neglizhencës se udhëheqësve të BIK’ut si dhe udhëheqësve të institucioneve shtetërore në Kosovë.
“Nëse institucionet shtetërore gjegjëse nuk merren me institucion e BIK-së, atëherë dera e interferimeve të jashtme nuk do të mund të mbyllet siq edhe ka ndodhur në dekadën e fundit “, thuhet në këtë kumtesë.
Punëtorët kanë pohuar se BIK-u nuk mund të jetë “shtet në shtet”, duke mos pasur asnjë lidhje juridike me institucionet zyrtare vendore.
Thursday, 07 March 2013 23:18