Tiranë – Shkrimtari Simon Sebag Montefiore rrëfen për prestigjiozen “Financial Times” mbresat nga promovimi i 5 librave të tij në shqip, prej shtëpisë botuese “55” si dhe bisedën me kryeministrin Sali Berisha.
“I adhuroj turnetë për promovimin e librave, sepse më pëlqen të qëndroj në hotele apo vende të mrekullueshme, sepse këto udhëtime janë magjiplotë, por kurrë nuk e kisha menduar se Shqipëria do të ishte vendi ku do të zhvillohej turneu më fantastik për promovimin e librave të mi”, shprehet Montefirore.
Shkrimtari dhe historiani Simon Sebag Montefiore, në rubrikën e vet periodike në të përditshmen prestigjioze “Financial Times”, në numrin e 24 shkurtit, është ndalur tek pesë botimet e librave të tij në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “55” si dhe tek takimi që pati me kryeministrin Sali Berisha gjatë promovimit të tyre, në ish-kompleksin qeveritar që u ndërtua si version bunkeri prej diktatorit Hoxha.
Autori ka vlerësuar faktin që shtëpia botuese “55” botoi brenda dy muajsh pesë nga librat e mi në gjuhen shqipe. “Kryeministri i Shqipërisë, Dr Sali Berisha, një ish-kardiolog i hirshëm, i cili udhëhoqi revolucionin kundër despotit Enver Hoxha, më nderoi me pjesëmarrjen e tij në prezantimin e librave”, shprehet Montefiore.
Në vijim Montefiore shkruan për udhëheqjen e Shqipërisë për 40 vjet nga diktatori Hoxha, dhe jetesën e tij dhe të rrethit të tij të ngushtë në një kompleks vilash të quajtur “Blloku” që tashmë, shkruan autori, janë shndërruar në klube nate me emra të tillë si Vila Vogue.
“Në vitin 1981, Hoxha vrau kryeministrin Mehmet Shehu që jetonte jo shumë larg tij në vilën 30. Kjo e fundit mbetet akoma rezidencë e kryeministrit. Kështu, kur u ulëm për darkë me Berishën në vilën 30, nuk rezistova dhe i kërkova kryeministrit të shihja dhomën ku u vra Shehu. – Sigurisht, – më tha ai me mirësjellje dhe më shoqëroi lart për të vëzhguar nga afër dhomën ku ndodhi krimi”, shprehet Montefiore.
Qëndrime në vënde të tilla për Simon Montefioren, si historian, janë të rëndësishme. Ai rrëfen se kur po merrej me kërkimet rreth figurës së Stalinit, kam qëndruar në disa nga dhomat e gjumit të tij në Abkazi. Në Berlin ka qëndruar mes luksit të Sohos, ish zyrat e Byrosë Politike Gjermanisë Lindore.
Në shqip janë botuar pesë libra të Montefiores; “Stalini”, “Stalini i ri”, “Sashenka”, “Katerinadhe Potemkini” si dhe botimi i tij më i fundit dhe më i vlerësuari “Jeruzalemi”. Libri i preferuar i Bill Klintonit për këtë vit ishte “Jerusalemi”. Në klasifikimin amerikan të Amazon, libri ngjiti 100 vende.
Tuesday, 28 February 2012 12:00