Tiranë – Liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorrik, TPL, ka sjellë një ulje të çmimeve me 30% deri në 40%. Bardhyl Minxhozi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë “Interalbanian”, thotë se në këtë fazë të pare, liberalizimi ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e tregut dhe
në një konkurrencë transparente mes kompanive të ndryshme.
Megjithëse në muajt e parë pas liberalizimit çmimet e sigurimit motorrik kanë rënë, z.Minxhozi parashikon që, në afatin e mesëm, çmimet do të rriten deri në dy herë, sepse kompanitë nuk mund të përballojnë pagesën e dëmeve me tarifat aktuale.
Ulja e çmimeve pas liberalizimit është reflektuar edhe në të ardhurat e kompanive të sigurimeve nga sigurimi i detyrueshëm motorrik. Për tetë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga ky produkt kanë rënë me 21% krahasuar me një vit më parë. Nga 41% të të ardhurave që zinin gjatë vitit 2010, për 8-mujorin e këtij viti TPL-të zinin më pak se 31% të të ardhurave të tregut. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 October 2011 15:23