Tiranë- Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjes së aktorit Vasillaq Vangjeli, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme.
Në këtë mesazh, Kryeministri Berisha duke iu drejtuar familjarëve të aktorit Vangjeli shprehet se, “sot është një ditë trishtimi për ju që humbët njeriun tuaj të dashur, por edhe për botën artistike, që humbi njeriun që ia dedikoi jetën skenës së teatrit të estradës dhe komedisë”.
“Vasillaqi, me talentin e tij, u shndërrua në një nga aktorët më të dashur të komedisë për shqiptarët, i cili ju dha buzëqeshjen edhe në kohëra të vështira për ta. Në kujtesën e publikut shqiptar do të mbetet i paharruar personazhi shumë i dashur për të tek Zonja nga Qyteti dhe loja e tij e shkëlqyer aktoriale.
Në këto çaste dhimbjeje, unë i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Zotit Vangjeli dhe komunitetit artistik të vendit”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryeministrit për aktorin Vangjeli.
Ndarja nga jeta
Ndërron jetë në moshën 63-vjeçare Vasillaq Vangjeli. Lajmi është bërë publik për mediat rreth orë 23:00 të së hënës ndërsa varrimi pritet të zhvilloht të gjatë mesditës së të martës.
Aktori i mirënjohur i kinematografisë dhe skenës së teatrit shqiptar ishte shtruar këtë të hënë në spitalin ushtarak në Tiranë pas disa komplikacioneve të cilat zemra e Vangjelit nuk i ka përballuar.
Karriera e Vasillaq Vangjelit
Mbi 100 role të ndryshme në kinematografi dhe në teatër numëron Vasill Vangjeli, i njohur për aktrimin e tij virtuoz dhe humorin e tij që ka bërë të buzëqeshin breza të tërë të shoqërisë shqitpare.
Të gjithë e mbajnë mend në rolin e “Koçit” tek filmi “Zonja nga Qytetit” për të mos përmendur pastaj aktrimin e tij në kinokomedi të ndryshme siç ësht roli i diktatorit Hoxha tek “Gjuetia e Fundit”, shfaqje të cilat e shëndërruan Vangjelin në një ikonë mjaft të dashur për publikun artëdashësh shqiptarë.
Monday, 26 September 2011 23:24 