Lajme Shqip Friday, 18 May 2012 14:00

Këngëtarja ndërroi jetë në moshën 63- vjeçare dhe lajmi është konfirmuar nga vetë familjarët e saj. E njohur si mbretëresha e diskos ajo ka ndërruar jetë në Florida.

Ikona e viteve ’70 kishte kohë qe po bënte një betejë të fshehur me sëmundjen e kancerit, të cilën ajo besonte se e kishte marrë pasi kishte thithur grimcat helmuese në sulmin e 11 Shtatorit në New York.

Familjarët pasi kanë konfirmuar vdekjen e saj janë shprehur se janë në paqe duke ditur trashëgiminë kulturore që ajo ka lënë pas. Sipas disa burimeve mësohet se ajo është përpjekur ta mbante të fshehur sëmundjen nga fansat dhe se po përpiqej me gjithë forcat që të mbaronte albumin e saj të fundit.

Summers ka qenë e njohur për publikun me hitet e viteve 70’ si ‘I Feel Love’, ‘Last Dance’ dhe ‘Bad Girls’. Ajo ka qenë 5 herë fituese e çmimeve Grammy si dhe këngëtarja e parë që  ka pasur tre albume të njëpasnjëshëm, që kanë arritur majat e klasifikimeve në tabelat amerikane. Ajo ka qenë gjithashtu artistja e parë femër që ka pasur 4 këngë hite në një periudhë prej 13 muajsh.