Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 15:17

Tiranë – Gjykata e Lartë shtyu për të hënën e ardhshme seancën në ngarkim të ish- zv/kryeministrit Ilir Meta.

Seanca e parashikuar për t’u zhvilluar sot u pezullua pasi ekspertët Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri, të ngarkuar nga Gjykata për të bërë ekspertizën e video- përgjimit ndaj Metës, nuk kanë arritur të realizojnë të gjitha procedurat e ekspertizës.

Ekspertët shqiptarë pritet të dalin në një konkluzion të qartë për videon nëse është ose jo autentike.  Konkluzioni i tyre pritet të publikohen javën e ardhshme në seancën e radhës.

Konstatimet e eksperteve që kanë ekzaminuar orën-kamera, kompjuterin lap-top dhe një USB, ku pretendohet se gjendet videoja, do të jenë vendimtare për çështjen ndaj ish zv/kryeministri Meta.

Kjo për shkak se pala mbrojtese pretendon se video është një montim, përkundër pretendimit të organit te akuzës.

Ish- zv/kryeministri Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga prokuroria, pas publikimit në media të një video, ku ai shfaqej me ish -ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të kësaj ministrie.