Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 08:23

Është jo më shumë se 21 vjeç, por adoleshencën e ka nisur dhe po e mbyll në Greqi. Pikёrisht në Katerini, mes maleve dhe të ftohtit që shijohet vetëm në verë kur moti i freskët ua bën zili athinasve të zhuritur nga vapa.

Dhe në atë klimë të ftohë, dëshira më e nxehtë e Arbenit është qё të këndojë. Ndaj vendosi të lërë punën e tij të përditshme, larjen e makinave dhe të shkojë në Athinë, në evenimentin më të rëndësishëm artistik të vitit, “Greek Idol”. Një spektakël me patentë botërore që njihet shumë në SHBA si “American Idol” dhe në shtete të ndryshme të Evropës Perёndimore.

Arben Nika, 21 vjeç nga jugu i Shqipërisë, ka vendosur të jetë ndër finalistët, pse jo edhe fituesi i spektaklit të famshëm që mbërthen çdo fundjavë teleshikuesit e Greqisë para ekranit të televizionit Alpha.

Mbrëmjen e kësaj fundjave, Arbeni arriti të kualifikohet  për të vazhduar audicionet e spektaklit. Ai u konfirmua në Top 100 të spektaklit “Greek Idol” që ka një audiencë tejet të lartë në televizionet greke.

Juria ёshtё shprehur mjaft e kënaqur me talentin e të riut shqiptar: “Kualifikohesh. Sigurisht që ka ende për të bërë, por ti e njeh shumë mirë greqishten, më mirë dhe se aktorë dhe futbollistë të njohur shqiptarë që kanё shumë vite në Greqi dhe në jetën sociale greke. Për më tepër ke një zë shumë të mirë, melodioz dhe emocionues, i qartë në të shprehur dhe plot pasion”.

Përzgjedhja nga juria dhe votat e shumta me sms dhe online, bënë që ai të kualifikohet.

Kështu Arbeni, me interpretime gjithnjë nga këngët popullore greke, do të vazhdojë rrugën deri në finalet e “Greek Idol” ku aspiron të jetë.