Tiranë – Shqiptarët rritën sigurimet vullnetare gjatë vitit 2011, kujdesin ndaj pronës, dëmeve, si një tendencë pozitive, që tregon më shumë ndërgjegjësim për sigurimin e portofoleve të pronës, përgjegjësisë dhe garancive, etj.
Primet e “sigurimit vullnetar” në vitin 2011 arritën rreth 4,621 milionë lekë, me një rritje prej 16.56% nga e njëjta periudhë e 2010-tës dhe dyfishim të numrit të kontratave, bën të ditur Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF).
Në total të ardhurat nga këto sigurime për vitin 2011 arritën në rreth 2,036 milionë lekë. Vendin e parë e zuri sigurimi “zjarri dhe rreziqet shtesë”, me 59.82 %, pasuar nga “sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile” me 19.58%.
Në portofolin “zjarri dhe rreziqet shtesë”, gjatë vitit 2011 u vu re rritja 11.19% e numrit të kontratave të sigurimit dhe me 10.16% e volumit të primeve të shkruara bruto të tij, krahasuar me vitin 2010.
Rritja e konsiderueshme e numrit të kontratave në sigurimin vullnetar ka ardhur nga rritja e numrit të kontratave të sigurimit të shëndetit, pasojë e lëvizjes së lirë të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, ku kjo pagesë është e detyrueshme.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit, gjatë vitit 2011 arritën në rreth 874 milionë lekë, me një rritje prej 91.09 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, ku ndikimin kryesor e dha rritja e volumit të primeve në klasën e sigurimit të shëndetit, që zunë 88.51% të të ardhurave të grupit.
AMF njofton se pagesat e dëmeve gjatë vitit 2011 u ulën 5.52% krahasuar me vitin 2010, ku pjesa kryesore u përket sigurimeve motorike me afro 1,714 milionë lekë dhe që përbëjnë 79.13% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2011 arritën rreth 1,066 milionë lekë, ose 25.53% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë vitit 2011 u rritën me 15.57% kundrejt vitit 2010.
Saturday, 28 January 2012 14:20