Tiranë – Gjatë 10 muajve të parë të vitit 2011, Shqipëria rriti eksportet drejt vendeve të Bashkimit Europian me rreth 3.5 %. Sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë kësaj periudhe rreth 40 % e totalit të eksporteve shkoi drejt vendeve të BE-së ndërsa, 60 % e tyre shkoi drejt vendeve jo anëtare të këtij unioni.
Në një analizë të shkurtër lidhur me eksportet, ekspertë të ekonomisë shprehen se rritja në volum e eksporteve drejt vendeve të BE-së shpjegohet me 2 fenomene. E para ka të bëjë me një rritje të cilësisë së produkteve shqiptare. E dyta ka të bëjë me efektet e krizës. Partnerët e Shqipërisë vijojnë të shfrytëzojnë krahun e lirë të punës në vendin tonë. Ndërsa një tjetër argument më pozitiv për produktet tona është politika e ndjekur nga biznesi, duke ofruar një çmim më të ulët për mallrat e tyre, në kërkim të fitimit të tregjeve dhe partnerëve të rinj.
Por, ekspertët sërish sugjerojnë se është e domosdoshme, që Shqipëria të fokusohet dhe specializohet në produktet dhe shërbimet ku ka një avantazh konkurrues krahasuar me vendet e tjera. Rritja e eksporteve, sipas tyre, jo vetëm që rrit të ardhurat e një vendi, por jep një zhvillim të madh në gjithë fushat e tjera të ekonomisë.
Ndërkohë, sa u takon importeve referuar statistikave, gjatë kësaj periudhe shqiptarët zgjeruan hartën e vendeve jo anëtare të BE-së, nga ku blejnë mallra. Gjatë periudhës janar-tetor 2010, 56.9 % e volumit të importeve erdhi nga vendet e BE-së, ndërsa në vitin 2011 nga BE u importuan 56.3 e volumit, ndërsa nga vendet jo-anëtare të BE-së në vitin 2011, u importuan 43.6 % e totalit të importeve.
Shqipëria importoi në 10 muajt e parë të vitit 2011 rreth 3,752,512 ton mallra vlera e të cilave llogaritet 443,612 milionë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë eksportoi 2,771,269 ton mallra me vlerë 163,427 milionë lekë.
Saturday, 21 January 2012 14:20